Adriatik Balla 10.06.2015 16:35
Duke folur si lojtar i Partizanit, Sebino Plaku u shpreh i lumtur për rikthimin te të kuqtë, edhe pse pas 11 vitesh. “Të them të drejtën jam i befasuar nga pritja që më bënë te Partizani, – deklaroi ai. – Ndihem si në shtëpinë time edhe pse kam 11 vjet që jam larguar nga kjo skuadër. Presidenti dhe trajneri ishin shumë të qartë kur biseduam për nënshkrimin e kontratës.”
Gjatë sezonit të fundit me Sllashkun e Vroclavës, Plaku thuajse nuk ka zbritur në fushën
e blertë për shkak të problemeve me klubin polak, megjithatë ai siguron se gëzon formë të mirë sportive. “Unë jam stërvitur rregullisht dhe e ndjej veten në formë, – ka pohuar ish-futbollisti i Tiranës dhe Skënderbeut. – Atje ku kam luajtur niveli ka qenë i lartë dhe besoj se nga ana profesionale jam pjekur më shumë.”
Në fund Plaku kujtoi se ka mbetur i befasuar nga ndikimi që ka patur firma e tij te tifozët e Partizanit, duke premtuar se do t’ua shpërblejë këtë besim në fushën e blertë. “Kam mbetur i befasuar edhe nga ndikimi që ka krijuar ardhja ime te Partizani, – vijoi sulmuesi.
– Tifozët më kanë pritur me entuziazëm dhe unë këtë besim shpresoj t’ua shpërblej me paraqitjet e mia në fushë.”