AlbanianSport.com 10/11/2018 18:15
ASNN – Plas te Partizani, Gega përpjekje psikologjike për të kontrolluar irritimin e Mensasë. Partizani, kryesuesi i Kategorisë Superiore, nuk është aq i qetë sa duket nga jashtë. Një problem shqetësues është shfaqur në brendësi të grupit, pasi lojtari me origjinë afrikane, Emanuel Mensah, është irrituar nga qëndrimi në stol dhe ka shfaqur rebelimin e tij para trajnerit Skënder Gega.
Ngjarja ka ndodhur ditën e shtunë në stërvitjen e zakonshme të Partizanit, ku lojtari nga Gana i shprehu trajnerit Gega shqetësimin se po gjen shumë pak hapësirë në formacion. Ai i ka kërkuar trajnerit t’i japë sqarime pse në 12 ndeshje ka luajtur titullar vetëm 6 të tilla. Lojtari ka qenë i rebeluar, por trajneri Gega është përmbajtur dhe i është dashur gati gjysmë ore ta qetësojë lojtarin, duke argumentuar zgjedhjet e tij.
Menjëherë pas stërvitjes, trajneri Gega deklaroi se ishte e drejta e çdo lojtari të kërkonte shpjegime dhe nga ana tjetër është detyrim i trajnerit të japë sqarimet teknike për çfarëdolloj situate të krijuar. “Janë situata normale, – është shprehur Gega për mediat sportive shqiptare.
“Sepse çdo lojtar dëshiron të luajë sa më shumë, – shtoi Gega. – Dëgjuam kërkesat e tij dhe i sqaruam situatën duke ia argumentuar me fakte. E kemi thënë që në fillim se, tek Partizani luan ai që është më në formë dhe vrapon si në stërvitje dhe në lojë. Të gjithë kanë të njëjtin trajtim dhe kur t’u jepet besimi duhet ta shlyejnë për aq sa minuta do të jenë në fushë.”