AlbanianSport.com 03/05/2021 22:55
ASNN – Presidenti i Partizanit flet posaçërisht për RTSH Sport, kërkon më tepër nga skuadra. Skuadra e tij ka marrë të hënën një fitore minimale, por të vyer, në Stadiumin “Elbasan Arena” ndaj Apolonisë, por presidenti i të kuqve kryeqtetas, Gazmend Demi, nuk ka qenë edhe aq i kënaqur me skuadrën e tij. “Shumë të rëndësishme janë të gjithë trepikëshat në fakt”, – ka thënë fillimisht ai.
“Ju e dini që me Apoloninë ne kemi hequr pak, ndaj edhe për këtë arsye ishte një fitore shumë e rëndësishme, – ka vijuar Demi. – Për të qenë realist, dy herë kemi gabuar përballë tyre, kur edhe kemi dalë barazim. Por, edhe sot, me mund fituam.” Kreu i klubit kryeqytetas është pyetur edhe për mendimin e tij për gjykimin në këtë ndeshje.
“Ka mbaruar ndeshja dhe nuk dua të flas, më mirë të flasin ekspertët”, – është përgjigjur ai shkurtazi. Fitorja me fierakët e ka ngjitur Partizanin në krye të renditjes, por për Demin, është ende herët të flitet për titullin. “Ka kohë edhe 5 javë, – ka këmbëngulur presidenti i Partizanit. – Edhe herë tjetër e kemi marrë dhe nuk e kemi mbajtur dot.”
“Shpresojmë të shkojmë në rrugë të mbarë, – ka vijuar Demi. – Të gjitha ndeshjet të vështira janë, e patë edhe sot, ku rezultoi shumë e vështirë.” Teksa kanë mbetur edhe 5 javë deri në mbyllje të kampionatit, Partizani kryeson renditjen i vetëm, në kuotën e 57 pikëve, një më tepër sesa Teuta, 3 më tepër sesa Vllaznia dhe 4 më tepër sesa Laçi.