AlbanianSport.com 04.01.2017 21:55
ASNN – Janë dy rivalët më të ethshëm për titull dhe, për rrjedhojë, nuk mund të humbasin kohë në përgatitje për gjysmën e mbetur të sezonit. Kështu, pas Kukësit kryesues, edhe Partizani ka zhvilluar sot seancën e parë stërvitore për vitin 2017. Ekipi që mban vendin e dytë në renditje, me 35 pikë, një më pak se verilindorët e kreut, ka nisur sot zyrtarisht përgatitjet për pjesën e dytë të kampionatit.
Në mjediset e Kompleksit Sportiv “Internacional Tirana” në Pezë-Helmës, nën drejtimin e trajnerit Sulejman Starova dhe stafit teknik, grupi i lojtarëve ka zhvilluar në orën 14:00 edhe seancën e parë për vitin 2017. Skuadra nuk ka qenë e plotë pasi disa prej lojtarëve pritet t’i bashkohen ekipit në Antalia, ku edhe do të kryhet minifaza përgatitore.
Sot në fushë nuk ka zbritur për të kuqtë blerja më e re, Methju Bonifejs, pasi sulmuesi nigerian ka qenë i impenjuar, teksa ka kryer vizitat mjekësore. Në përgatitjet e së enjtes grupi pritet të jetë më i plotë, seanca e nesërme do të jetë edhe e fundit në Tiranë , pasi të premten ekipi do të udhëtoj drejt Antalias. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Partizanit, Genci Tomori, do të ketë edhe afrime lojtarësh të tjerë cilësorë.