AlbanianSport.com 06.06.2016 10:25
ASNN – Andrea Agostinelli nuk është më trajner i Partizanit. Këtë e konfirmoi vetë italiani për Televizonin “Klan”. Megjithatë klubi nuk po bën asgjë zyrtare. Pas aventurës disamujore te ekipi kryeqytetas, Agostinelli është tanimë në pritje të ofertave të tjera për sezonin dhe nuk përjashton një rikthim në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Objektivi ishte titulli “kampion” dhe diçka e tillë nuk u arrit, duke sjellë edhe lëvizje në stafin drejtues të Partizanit. Ndryshimet te të kuqtë nisën para disa ditësh me largimin e drejtorit të përgjithshëm të klubit, Dritan Dervishi, i cili u zëvendësua para pak ditësh nga Genc Tomorri. Si Dervishi, ashtu edhe Agostinelli u afruan sezonin e kaluar te Partizani.
Andrea Agostinelli e drejtoi Partizanin në 20 ndeshje në kupë dhe kampionat, nga të cilat fitoi 9, barazoi 8 dhe humbi 3. Klubi kryeqytetas nuk shpallet “kampion” prej vitit 1993. Partizani që e mbylli në vendin e dytë në Kategorinë Superiore, tani duhet të përgatitet për pjesëmarrjen turet eliminatore të Ligës së Evropës. Shorti do të hidhet më 20 qershor 2016 në Nion.