AlbanianSport.com 03/02/2019 16:05
ASNN – Partizani luajti të dielën duelin derbi me Kamzën në fushën e kësaj të fundit, duke fituar me rezultatin 1-0. Ishte një ndeshje e vaktë në të gjitha drejtimet, ndoshta dhe për faktin se të kuqtë nuk kishin përballë një skuadër cilësore sic ndodhi javën e kaluar kur fituan në Korçë ndaj Skënderbeut. Megjithatë, edhe në këtë ndeshje u shënua një gol me vlerë 3 pikësh, sepse të kuqtë shkëputen dhe një herë në kryesim, me 5 pikë nga Kukësi i vendit të dytë.
Në fakt, deshja nuk ishte aspak e bukur dhe është fakt që Partizani i këtij sezoni nuk luan bukur, por ai ka të qarta idetë e lojës, është racional në veprime, shënon atëherë kur duhet dhe e ndihmon të mbajë qëndrueshmëri në lojë e rezultat mbrojtja e tij hermetike, që nuk u jep asnjë shans skuadrave rivale. Pjesa e parë pati më shumë rivalitet në mesfushë, ku të dyja skuadrat gjurmonin njëra-tjetrën pa krijuar ndonjë episode për t’u përmendur.
Kamza mbrohej me kujdes dhe Partizani qarkullonte dendur topin për të gjetur hapësirën ku tentohej goli. Diferenca në takimin e sotëm erdhi në minutën e 65-të, kur Jasir Asani, “njeriu-gol” i Partizanit në këtë sezon, arriti më në fund të gjejë rrjetën pas një aksioni të gërshetuar bukur nga “demat”. Ky gol çliroi psikologjikisht ekipin e Skënder Gegës që nisi të mendojë për administrimin e epërsisë. E ndërsa Kamza doli para të kërkojë golin e barazimit, Partizani mendojë ta “lerë me kaq”.
Për të marrë një 3-pikësh që i mjaftonte në rrugëtimin e tij në krye të garës. Dhe llogaritë e trajnerit Gega rezultojnë pozitive, sepse me dy gola gjithsej në dy ndeshje, Partizani ka grumbulluar 6 pikë, duke ruajtur dhe thelluar distancën me ndjekësit që janë Kukësi dhe Teuta, ku, në 2 ndeshje, verilindorët kanë marrë 4 pikë, ndërsa bregdetarët, vetëm 2. Pra llogaritë e Gegës janë për titull, pavarësisht se Partizani nuk ka bërë goditje në merkato në nivelin e dy rivalëve të tij.
Skema e tij taktike e lojës mbrojtje-mbrojtje-kundërsulm duket se po jep më shumë efikasitet se taktika që kanë ndjekur rivalët. Pas fitores së radhës, Partizani ngjitet në kuotën e 43 pikëve, 5 pikë më shumë se Kukësi i vendit të dytë që ka 38 pikë dhe 8 pikë më shumë se Teuta e vendit të tretë që ka 35 pikë. Ekipet e tjera ndjekëse, domethënë Laçi, Skënderbeu e Flamurtari, kanë përkatësisht 12, 13 dhe 14 pikë më pak se kryesuesit e kuq.
Pas kësaj jave mund të konstatohet se tre rivalët për titull do të jenë Partizani, Kukësi dhe Teuta, por kjo e fundit disi e shkëputur.
Kategoria Superiore
Java e 20-të
Të premten, 1 shkurt 2019:
Tirana – Teuta 1-1
Të shtunën, 2 shkurt 2019:
Kastrioti – Skënderbeu 2-1
Kukësi – Flamurtari 1-2
Të dielën, 3 shkurt 2019:
Laçi – Luftëtari 0-2
Kamza – Partizani 0-1
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Partizani 43
- Kukësi 38
- Teuta 35
- Laçi 31
- Skënderbeu 30
- Flamurtari 29
- Tirana 21
- Luftëtari 20
- Kastrioti 16
- Kamza 15