AlbanianSport.com 25/11/2018 13:20
ASNN – Disfata 1-0 që pësuan të kuqtë në Vlorë përballë Flamurtarit nuk kaloi pa tension në radhën e të kuqve të Partizanit, të cilët nxituan të bëjnë një mbledhje të brendshme për të ndarë përgjegjësitë. Tonet kanë qenë të ngritura dhe vëmendja ishte përqendruar tek mesfushori Lorenc Trashi, i cili pati një përplasje me tifozerinë vlonjate, ku u pa jo vetëm i tensionuar, por gati-gati shpërthyes. Megjithatë, klubi e fali Trashin, duke mos e pezulluar, por u bë një “kurban”.
Ai është lojtari afrikan Alma Abo Uakili, i cili kishte ardhur nga Shkëndija e Tetovës. Lojtari ishte jo vetëm larg pritshmërive, por ai po largohet ende pa debutuar me “Demat e kuq”. Njoftimin për largimin e tij si i “padëshiruar” e dha vetë klubi i Partizanit nëpërmjet proflit të tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”. Me këtë lëvizje, mund të thuhet se Partizani nisi operacionin “fshesa”, për lojtarët që nuk janë në planet e trajnerit Skënder Gega.
Por në të njëjtën kohë i hapet rruga merkatos së dimrit, ku ambiciet e “demave” janë për lojtarë që bëjnë diferencën, e sidomos për një sulmues të spikatur. “Klubi njofton përfundimin e bashkëpunimit me Alma Abo Uakili. Mbrojtësi i majtë 22 vjeçar dhe klubi, kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim marrëveshjen mes tyre, për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Klubi i uron Alma Abo Uakilit suksese të mëtejshme në karrierën e tij sportive”, – thuhet në njoftimin e të kuqve për largimin e afrikanit.