Adriatik Balla 02.06.2015 17:50
Partizani mbylli një sezon pozitiv dhe tani po mendon të formatojë si duhet grupin për ndeshjet e Ligës së Evropës. Por para se të nisin përgatitjet për turet eliminatore të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, të kuqtë po përpiqen të mbajnë të fortë grupin, pasi nga skuadra ka nisur një valë eksodi, ku elementë cilësorë e titullarë po e braktisin ekipin e “demave”.
Gjithçka po ndodh shumë shpejt dhe Partizani po boshatiset, gjë që nuk jep garanci për një vazhdimësi serioze dhe një skuadër të fortë për edicionin e ardhshëm. Së fundmi mësohet se do të largohet mbrojtësi Ardian Cuculi, lojtar i sjellë nga ish-trajneri Duro në fillim të sezonit që mbyllëm, pasi e kishte marrë nga Shkëndija e Tetovës.
Lajmi ishte në ajër por gjatë orëve të fundit është zyrtarizuar. Pak ditë më parë mediat lajmëruan largimin e Ardian Cuculit, vendim që u bë i ditur nga trajneri i ri i Partizanit, Sulejman Starova. Klubi kryeqytetas e bën me dije vendimin në një komunikatë të publikuar në faqen e internetit ku thekson se marrëdhëniet me mbrojtësin me pasaportë maqedonase janë ndërprerë.
“Mbrojtësi 27 vjeçar ndërpret me mirëkuptim kontratën me 15-të herë kampionët e vendit për arsye familjare. Klubi falënderon lojtarin Cuculi për kontributin e dhënë në sezonin futbollistik që sapo përfundoi dhe i uron suksese të mëtejshme në karrierën e tij sportive”, – theksohet në komunikatën për shtyp të Partizanit.