AlbanianSport.com 08.12.2014 20:35
ASNN – Partizani ka fituar me rezultatin 2-0 derbin me Tiranën që ka zhvilluar një ndër takimet më të dobëta në këtë sezon. Ekipi i trajnerit Shpëtim Duro ka qenë më i saktë në aksionet e organizuar, ndërsa golat e shënuar nga Nexhipi dhe Mazrekaj që në minutat e para ishin një goditje e fortë për bardheblutë. Futbollistët e Tiranës nuk kanë arritur të reagojnë edhe pse iu paraqitën disa raste për gol, ndërsa edhe zëvendësimet e kryera gjatë pjesës së dytës.
Partizani fitoi kështu derbin e kryeqytetit duke mundur me rezultatin 2-0 Tiranën. Golat e Nexhipit dhe Mazrekaj nga pika e 11-metërshit i dhuruan suksesin skuadrës së Shpëtim Duros që kthehet të kryesojë renditjen e Kategorisë Superiore. Spektakël edhe në shkallët e stadiumit që regjistroi një numër rekord tifozësh. Pritshmëritë ishin të mëdha dhe prej ditësh kryeqyteti përgatitej për derbin Partizani-Tirana. Jo më kot një numër rekord tifozësh u dynd më shumë se dy orë përpara sfidës në stadiumin “Qemal Stafa”.
Më e ndezur ka qenë atmosfera në tribuna. Dy tifozeritë rivale të përjetshme dhuruan spektakël në sektorët përkatës. Shpërblen pritshmëritë edhe sfida në fushën e lojës, megjithëse këtë herë feston vetëm pjesa e kuqe e kryeqytetit. Partizani fitoi 2-0 në ndeshjen që nisi në mënyrën më të mirë për të kuqtë e kryeqytetit. Pa u plotësuar ende minuta e parë, Nexhipi shënoi golin e parë. Në delir skuadra e Duros dhe tifozët në shkallët e stadiumit.
Kërkon të reagojë Tirana, por më e keqja për bardheblutë e kryeqytetit vjen në minutën e 12-të. Partizani do të fitonte një 11-metërsh pas një ndërhyrje të dyshimtë brenda zonës. Të kota protestat e Tiranës, ndërsa nga pika e bardhë Mazrekaj dyfishoi shifrat. Me epërisë e dy golave, skuadra e Shpëtim Duros zgjidh shpejt ndeshjen, ndërsa përpjekjet e bardhebluve për t’u kthyer sërish në lojë sfumohen me radhë. Rastin më të mirë për të ngushtuar shifrat e ka Ndikumana.
Por sulmuesi gabon duke lënë në fuqi rezultatin 2-0 në pjesën e parë. Ndërkaq, me rikthimin në fushë ritmi i ndeshjes bie ndjeshëm. Meritë e Partizanit, që administron rezultatin, e ndihmuar edhe nga kundërshtarët që vuajnë presionin e dy golave dhe thuajse nuk bëjnë asgjë deri në fundin e ndeshjes. Festa është e gjitha për Partizanin, pasi fitorja në derbi ka vlerë të dyfishtë. Triumfi ndaj rivalëve të përjetshëm dhe rikthim në krye të renditjes për skuadrën e Shpëtim Duros.
Rezultati i derbit është dukur qartë edhe në humorin e dy tifozerive. Të ngrysur lenë tribunat tifozët e Tiranës. Ndryshe është atmosfera tek ata të Partizanit, që shijojnë suksesin dhe ecurinë e shkëlqyer të skuadrës së tyre në këtë sezon. Partizani me këtë sukses ngjitet në krye i vetëm 3 pikë i shkëputur nga vendi i dytë Skënderbeu.