AlbanianSport.com 29.11.2014 22:55
ASNN – Mesfushori i Partizanit, Emiljano Vila ka folur për sezonin e tij me Partizanin që pas rikthimit në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Sipas lojtarit të kombëtares, skuadra po ecën në rrugën e duhur drejt titullit “kampion”. Sa i përket sfidës së ardhshme kundër Teutës, Vila është shprehur se nuk do të festojë nëse shënon kundër ish-skuadrës së tij.
Fitorja me Kukësin në ndeshjen e fundit ka kthyer sërish optimizmin te Partizani. Sfida e humbur kundër kampionëve në fuqi i përket së shkuarës, teksa për të ruajtur ritmin e pretendentëve të tjerë për titullin “kampion”, të kuqtë e kryeqytetit duhet të fitojnë me Teutën. Për mesfushorin e kombëtares shqiptare, Emiljano Vila, sfida kundër Teutës është speciale.
Ai do të luajë kundër ish-skuadrës së tij, ndërsa premton se nuk do të festojë nëse arrin të shënojë. I paevitueshëm komenti për derbin e ardhshëm të kryeqytetit, sidomos pas lajmit se ai do të luhet vetëm me tifozët e Partizanit. Për Vilën, mungesa e tifozëve kundërshtarë prish atmosferën e kësaj ndeshjeje. Pas 13 javëve të luajtura në këtë sezon të Kategorisë Superiore, Partizani renditet në vendin e 3-të, me pikë të barabarta me Skënderbeun dhe vetëm një më pak se kryesuesit e Tiranës.