AlbanianSport.com 03/10/2018 18:45
ASNN – Partizani u ngjit në mënyrë bindëse në krye të nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë Superiore, pas fitores së pastër dhe të thellë ndaj Teutës, ku të kuqtë kryeqytetas triumfuan 3-0 në Stadiumin “Selman Stërmasi”. Kështu, në pritje të epilogut të javës së 7-të, supersfidës midis Skënderbeut dhe Kukësit, Partizani konsolidoi kryesimin e kampionatit shqiptar.
Në 90-minutëshin e zhvilluar në kryeqytet, “Demat e kuq” i mbyllën praktikisht “llogaritë” që në pjesën e parë ndaj durrsakëve. Fillimisht barazpesha u prish nga një gol me shumë fat i Asanit, goditja e të cilit u devijua nga muri në rrjetë. Është i njëjti futbollist shënoi dhe golin e dytë për Partizanin, pak para pushimit të ndeshjes, pas një gabimi të Teutës.
Mungesa e reagimit të miqve i la hapësira ekipit të Gegës të krijojë dhe të shënojë sërish, këtë radhë me Mensanë 8 minuta nga fundi. Me këtë sukses Partizani shkon në kuotën e 16 pikëve.
Duket se ky është Partizani i Skënder Gegës, trajnerit që ka provuar kapriçot e profesionit duke punuar me ndërprerje të mëdha, por që po ndihet vërtet profesionist në atë që mund të quhet shtëpia e tij. Epërsia e të kuqve në “Selman Stërmasi” ndoshta nuk ishte dërrmuese, por gjithsesi e tillë që mund ta ketë vetëm një skuadër e përgatitur mirë, që e meriton emrin kolektiv.
Jasir Asani është lojtari i momentit, autor i dy golave, ndërsa dallohen edhe të tjerët, Mala, Hila, Mensah apo Telushi, pa harruar kapitenin Alban Hoxha, një garanci në portë. Me këtë fitore, Partizani u ngjit në kuotën e 16 pikëve, me 5 fitore në 7 javë Superligë, ndërsa humbja e javës së parë në Korçë ka nisur të harrohet, ashtu siç po harrohet edhe goli i vetëm i pësuar.
Tashmë, kryeqytetasit presin rezultatin e rivalëve direktë për titull, në sfidën e Korçës, që do të luhet këtë të enjte, mes Skëndebeut e Kukësit. Më herët u luajtën 3 ndeshjet e para të javës së 7-të dhe Laçi vazhdon të mos e njohë humbjen, duke mundur me një gol të vetëm në fushën e vet Flamurtarin, ndërsa me një gol të vetëm fitoi në shtëpi edhe Luftëtari ndaj Kamzës. Tirana mundi 3-2 Kastriotin në Krujë.
Kategoria Superiore
Java e 7-të.
E mërkurë, 3 tetor 2018:
Kastrioti – Tirana 2-3
Laçi – Flamurtari 1-0
Luftëtari – Kamza 1-0
Partizani – Teuta 3-0
E enjte, 4 tetor 2018:
Skënderbeu – Kukësi (17:45)
Renditja
Nr. Ekipi N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 7 5 1 1 8-1 16
- Kukësi 6 4 1 1 7-3 13
- Laçi 7 3 4 0 7-4 13
- Skënderbeu 6 3 2 1 8-4 11
- Flamurtari 7 3 1 3 6-5 10
- Tirana 7 2 2 3 8-9 8
- Teuta 7 2 2 3 4-7 8
- Luftëtari 7 2 0 5 6-9 6
- Kamza 7 2 0 5 3-5 6
- Kastrioti 7 1 1 5 4-14 4