AlbanianSport.com 30.11.2014 19:55
ASNN – Partizani ka marrë i vetëm kryesimin e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, pasi në takimin e vlefshëm për javën e 14-të, ka korrur një fitore 1-0 në Durrës ndaj Teutës vendase. Edhe pse me mungesa të rëndësishme, por me rikthimin në portë të Alban Hoxhës, 15-herë kampionët e Shqipërisë kanë arritur të marrin një 3-pikësh shumë të rëndësishëm pas golit të Osmanajt, të shënuar në minutën e 68-të të ndeshjes.
Me gjithë përpjekjet e skuadrës durrsake, e cila u paraqit për herë të parë në këtë sezon me trajnerët e ri Gentjan Begeja dhe Ilir Biturku, asgjë nuk ndryshoi dhe të kuqtë kryeqytetas morën të dielën në mbrëmje fitoren minimale, por të vyer, që i ngjiti në krye të renditjes me 30 pikë, një më tepër sesa rivalja kryeqytetase, Tirana, dy më tepër sesa nënkampionia e sezonit të shkuar, Kukësi, dhe 3 më tepër sesa kampionia në fuqi, Skënderbeu.
Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit i ka luajtur të dielën pasdite dy prej ndeshjeve të javës së saj të 14-të dhe Tirana është ndalur në një barazim pa gola në kryeqytet përballë Laçit, ndërsa në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, Kukësi ka mundur minimalisht Skënderbeun. Pas një 45-minutëshi të parë me rrjeta të paprekura, ai i dyti nis me gol dhe Dushku do të kthejë në rrjetë një goditje këndi të kuksianeve.
ky gol do të mbetet në fuqi deri në fund dhe Kukësi merr fitoren që e ngjit në kuotën e 28 pikëve, një më pak se Tirana, që është ndalur të dielën në një barazim pa gola në kryeqytet përballë Laçit. Ndërsa Skënderbeu mbetet në kuotën e 27 pikëve. Kategoria Superiore ka nisur të shtunën javën e saj të 14-të, javë e cila mbyllet të hënën. Në takimin e zhvilluar në Fier, Vllaznia ka korrur një fitore minimale, por mjaft të vyer, ndaj Apolonisë, falë një goli të realizuar nga Soza në minutën shtesë të pjesës së parë.
Java e 14-të mbyllet të hënën me sfidën e orës 17:00, Flamurtari-Elbasani.
Kategoria Superiore
Java e 14-të
Të shtunën:
APOLONIA – VLLAZNIA 0-1
Shënues: Soza 45+1′
Stadiumi “Loni Papuçiu”, Vlorë
Të dielën:
TIRANA – LAÇI 0-0
Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, Tiranë
KUKËSI – SKËNDERBEU 1-0
Shënues: E. Dushku 47’
Stadiumi “Zeqir Ymeri”, Kukës
TEUTA – PARTIZANI 0-1
Shënues: Osmanaj 68’
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
Të hënën:
FLAMURTARI – ELBASANI (17:00)
Stadiumi “Flamurtari”, Vlorë
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 14 9 3 2 13-5 30
- Tirana 14 8 5 1 18-7 29
- Kukesi 14 9 1 4 16-10 28
- Skënderbeu 14 8 3 3 21-5 27
- Laçi 14 5 5 4 15-10 20
- Flamurtari 13 3 6 4 10-9 15
- Vllaznia 14 5 2 7 10-15 14
- Teuta 14 4 1 9 11-16 13
- Apolonia 14 2 2 10 4-26 8
- Elbasani 13 2 0 11 8-23 6