AlbanianSport.com 27.07.2015 14:20
ASNN – Sikundër kishte shkuar javë më parë e përditshmja më e vjetër sportive në vend, “Sport Ekspres”, duke shkaktuar asokohe zemërimin e klubit të kuq, Nderim Nexhipi nuk është më lojtar i Partizanit. Më në fund klubi i të kuqve ka zyrtarizuar largimin e mesfushorit nga Shkupi.
Ndërsa drejtuesit e Flamurtarit bënë të ditur akordin e arritur me 31-vjeçarin, Partizani aprovoi këta të fundit me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook”, ku shkruajnë se futbollisti ka ndërprerë aventurën me skuadrën e Partizanit. Ndërkohë, Nexhipi do të prezantohet sot zyrtarisht si lojtar i Flamurtarit.
Ja statusi i plotë i profilit të Partizanit në “Facebook”:
NDERIM NEXHIPI NDERPRET AVENTUREN ME PARTIZANIN
Klubi njofton se nga sot Nderim Nexhipi ka përfunduar aventurën e tij me ekipin e kuq. 31-vjeçari i cili mbajti edhe për një vit në krah shiritin e kapitenit, sezonin e ri ka vendosur të jetë pjesë e një tjetër skuadre në Superiore. Pas një takimi të zhvilluar sot mes presidentit Demi dhe Nexhipit, palët kanë rënë dakord të ndërpresin me mirëkuptim bashkëpunimin mes tyre.
Klubi falënderon Nderim Nexhipin për kontributin e tij të çmuar dhënë përgjatë qëndrimit prej 1 viti e gjysmë në radhët e Partizanit, duke konfirmuar se rikthimi i tij në familjen e kuqe do të jetë i mirëpritur në çdo kohë, vendim i cili i është transmetuar edhe nga vetë presidenti Gazmend Demi. Klubi i uron suksese të mëtejshme Nexhipit në karrierën e tij si futbollist .