ASNN – Kapiteni i Partizanit, Nderim Nexhipi, në një dalje për shtyp dje në mesditë ka shfaqur besimin se formacioni i të kuqve, i drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro, këtë radhë do ta thyejë tabunë në Korçë. Nëse të hënën, Partizani do të arrijë të fitojë në Korçë, atëherë është gjithnjë e më pranë titullit kampion.
Dhe kryesfida Skënderbeu-Partizani, e cila do të luhet të hënën në Korçë, në ora 18:00, ka ndezur dhe kërshërinë e tifozerisë, që pritet të jetë e shumtë, ndërsa tashmë ka dalë dhe çmimi i biletave për të kuqtë, që do të jetë 200 lekë të rinj. Madje skuadra dje ka nisur dhe përgatitjet për këtë sfidë në fushën me bar artificial të Pezë-Helmësit.
“Shpresojmë ta thyejmë tabunë në Korçë, atje ku nuk kemi arritur asnjë rezultat pozitiv në dy sezonet e fundit, – ka thënë kapiteni i të kuqve kryeqytetas. – Për ne çdo ndeshje është si finale, ndaj do të shkojmë në këtë ndeshje në fushë të huaj për të marrë një rezultat pozitiv.”
“Mund të duket një epërsi i vogël për ne, por mendoj se Skënderbeu ka një organikë të pasur për të përballuar edhe kalendarin e ngjeshur. Laçi është skuadër shumë cilësore dhe ka grumbulluar më shumë pikë se cilado skuadër në javët e fundit. Shpresojmë që laçianët të marrin rezultat pozitiv në Kukës dhe të përfitojmë ne”, – ka përfunduar Nexhipi.