AlbanianSport.com 31.10.2015 17:40
ASNN – Futbollisti i Partizanit, Labinot Ibrahimi, është i bindur se skuadra e tij do të fitojë ndaj Teutës të dielën, në mënyrë që të ruajë vendin e parë në renditje. Ndërsa kapiteni i Tiranës, Gentjan Muça, premton kthesën e skuadrës së tij në sfidën ndaj Kukësit.
Partizani luan të dielën në Durrës me Teutën, ndeshje kjo që do të sillet për shikuesit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Skuadra e trajnerit Sulejman Starova, pas 8 javësh kampionat ndodhet në vendin e parë me 22 pikë.
Dhe për të ruajtur këtë pozicion, Labinot Ibrahimi është i bindur se ndaj skuadrës durrsake do të marrin tri pikët. Ndërkohë, Tirana luan të dielën një sfidë të vështirë ndaj Kukësit në kryeqytet.
Për trajnerin e ri të bardhebluve, Ilir Daja kjo do të jetë prova e parë në drejtimin e kësaj skuadre. Kapiteni i Tiranës, Gentjan Muça thekson se skuadra do të bëjë kthesën në ndeshjen ndaj Kukësit.
Teuta-Partizani dhe Tirana-Kukësi janë ndeshjet përmbyllëse të javës së 9-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit të 77-të Kombëtar të Futbollit, që këtë sezone zhvillohet në 3 faza.