AlbanianSport.com 27/08/2018 14:30
ASNN – Midis largimeve dhe afrimeve dhe luhatjeve në rezultate, të kuqtë e trajnerit Skënder Gega po konsolidohen. Ndryshe nga sezonet e mëparshme, ajo që ka ndryshuar dukshëm në klubin e Partizanit është qasja që i është bërë edicionit të 80-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Përtej rezultateve të dy ndeshjeve të para të sezonit të ri futbollistik, të kuqtë kryeqytetas po japin shenja të konsolidimit.
Ka shumë, shumë vite, të paktën në kohëmatjen sportive, që çdo sezon thuhet se ky do të jetë viti i Partizanit. Natyrisht, edhe këtë sezon është thënë, të paktën nga një përfaqësues i vjetër i klubit, si Genc Tomori. Megjithatë, ndryshe nga sezonet e mëparshme, ajo që ka ndryshuar dukshëm në klubin e kuq është qasja që i është bërë edicionit të 80-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Mbase pësimet e vazhdueshme të sezoneve të shkuara janë bërë mësim, mbase edhe ardhja e trajnerit Skënder Gega ka ndikuar në tërë mjedisin e Partizanit dhe rezultatet nuk kanë vonuar të vijnë. Përtej rezultateve të dy ndeshjeve të para të sezonit të ri, ku të kuqtë kanë pësuar një humbje minimale, deri diku, të pafat, në Korçë përballë Skënderbeut vendas, por kanë marrë edhe një fitore minimale, deri diku me fat, në Kamëz përballë skuadrës vendase, skuadra e Partizanit po jep shenja të konsolidimit të saj.
Është larguar një barrë e madhe financiare, por edhe sportive si Edgar Çani, por edhe një përforcim i janarit si Abdurrahimi, ndërsa ka patur riformatim edhe të stafit teknik nga ana e Gegës. Natyrisht, dy ndeshje janë shumë, shumë pak për të gjykuar një skuadër, por tek të kuqtë ka shenja të qarta përmirësimi, po aq sa ka edhe zona gri, që pritet të sqarohen në vijim.
Hebaj ende nuk ka dhënë atë që pritej, ndërsa Progni dhe Asani dhanë shenja të mira në fitoren me Kamzën, ashtu sikundër bëri edhe Bruno Telushi me atë gol me vlerën e 3 pikëve. Mbrojtja dhe portieri Hoxha duhet të koordinohen më mirë, por në vija të trasha, 3 pikë të marra në dy sfida të vështira në fushë të huaj, janë një ogur i mirë teksa të kuqtë përgatiten për sfidën e parë në shtëpi këtë sezon, atë ndeshje të vlefshme për javën e 3-të përballë Kastriotit.
Gega duket se ka zgjedhur ta nisë pa bujën e zakonshme që e shoqëron Partizanin, por ai duhet ta ketë parasysh se , përtej deklaratave për dashuri të përjetshme në konferencat për shtyp të prezantimeve, koha që trajnerët kanë në dispozicion për të arritur rezultatet është shumë e shkurtër dhe Viti i Ri mund të mos jetë një periudhë edhe aq e gëzuar sa ç’pritet.