AlbanianSport.com 29.10.2014 21:40
ASNN – Dy rivalet historike të kryeqytet, Partizani dhe Tirana, vazhdojnë duelin e kreut edhe në këtë fillim të fazës së dytë të Kategorisë Superiore, duke korrur fitore edhe në ndeshjet e javës së 10-të, të zhvilluara të mërkurën. Ndërkohë që bardheblutë kanë fituar 3-0 në Fier ndaj Apolonisë vendase, të kuqtë kanë triumfuar me rezultatin 2-0 në kryeqytet ndaj Laçit.
Në fakt, pjesa e parë e takimit të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit, ka qenë e baraspeshuar dhe është mbyllur me rrjeta të paprekura. Por me fillimin e pjesës së dytë, Partizani merr iniciativën dhe e gjen menjëherë golin, kur Vila përfiton nga një goditje e lirë, e ekzekutuar nga Raçiç, dhe nga pasiguria e portierit të miqve dhe e përcjell topin në rrjetë.
Vetëm 6 minuta pas shënimit të golit të epërsisë, të kuqtë do të përfitojnë nga një tjetër gabim i portierit të Laçit, Vujadinoviç, i cili pengon në mënyrë të parregullt sulmuesin e Partizanit, Raçiç. Gjyqtari akordon 11-metërsh dhe nga pika e bardhë godet Mazrekaj, i cili nuk gabon dhe shënon. Partizani fiton kështu me rezultatin 2-0, ndërsa në takimin tjetër të mbrëmjes, Teuta ka mundur minimalisht Flamurtarin në Durrës.
Ndërkohë, në dy takimet e luajtura më herët, Kukësi ka mundur Vllazninë me shifrat 2-1, ndërsa Skënderbeut i ka mjaftuar një gol i vetëm për të mposhtur Elbasanin. Renditjen e Kategorisë Superiore e kryesojnë Tirana dhe Partizani, me nga 21 pikë, të ndjekura nga Kukësi me 19, Skënderbeu me 18, dhe Laçi me 16 pikë.