Gjergj Vyshka 10.04.2015 13:05
Përtej kampionatit aktual qëndron e ardhmja e portierit të Partizanit, Alban Hoxhës, i cili nuk jep detaje për një ofertë të mundshme nga jashtë, por shton se ideja për të provuar një eksperiencë të re e josh. Ka pasur një mundësi që ai të jetë pjesë e Kievos në Itali. “Kjo është një çështje që i përket klubit, – ka deklaruar ai gjatë konferencës për shtyp, dhënë në mjediset e klubit në kryeqytet. – Vendimin do ta marrë Partizani. Mua më josh ideja për të luajtur jashtë, por për këtë do të vendos pasi të shpallemi “kampionë”.
Në fakt kjo humbje e Partizanit në Korçë në fazën e dytë me Skënderbeun, teksa Alban Hoxha për shkak të problemeve të tij familjare nuk ka qenë i pranishëm, është një kujtim i largët, që nuk ka për të ndodhur më. “Këtë herë skuadra jonë vjen ndryshe në këtë sfidë. Shpresoj që të arrijmë një rezultat pozitiv, ndryshe nga sfida e parë, – thotë portieri i Partizanit. – Skënderbeu vuan nga mungesa e një sulmuesi dhe shpresoj që kjo të më ndihmojë mua dhe mbrojtjen”.
Sipas portierit të skuadrës kryeqytetase, Partizani do të japë maksimumin në këtë sfidë vendimtare në garën për titullin kampion, duke përfituar edhe nga momenti negativ që po kalon ekipi kundërshtar. “Është e vërtetë që ata vijnë nga dy humbje dhe shpresoj që në këtë sfidë të jemi më të avantazhuar, pasi ata mund të jenë më të lodhur për shkak të ndeshjes së Kupës”, – ka thënë ai. 28-vjeçari nuk ka asnjë dyshim se “Demat e Kuq” janë të karikuar për të mos u dorëzuar deri në javën e fundit.
“Nëse dalim me sukses nga dy sfidat e radhës, atë me Skënderbeun të hënën dhe pas një jave ndaj Kukësit, atëherë shanset tona shtohen për t’u shpallur kampion. Pse jo në masën 99 përqind”, – ka përfunduar Hoxha.