AlbanianSport.com 10.04.2015 07:05
ASNN – Dy humbjet radhazi që Skënderbeu ka pësuar në kampionat dhe në Kupë janë një faktor shtesë që e bëjnë portierin e Partizanit, Alban Hoxha, të besojë te fitorja e të kuqve të hënën në mbrëmje në Korçë. Gjatë konferencës për shtyp, të mbajtur të enjten në zyrat e klubit, gardiani i portës së të kuqve kryeqytetas ka shprehur betimin e patundur te fitorja.
“Është e vërtetë që ata vijnë nga dy humbje dhe shpresoj që në këtë sfidë të jemi më të avantazhuar pasi ata mund të jenë më të lodhur për shkak të ndeshjes së Kupës”, – ka deklaruar ai. Partizani ndeshet me Skënderbeun në Korçë, në takimin e vlefshëm për javën e 30-të të Kategorisë Superiore, por portieri i të kuqve kryeqytetas, Alban Hoxha, beson te fitorja.
Gardiani i portës së Partizanit e mbështet këtë besim të tij te fakti se Skënderbeu është nën presion pas dy humbjesh radhazi. “Këtë herë skuadra jonë vjen ndryshe në këtë sfidë. Shpresoj që të arrijmë një rezultat pozitiv, ndryshe nga sfida e parë, – ka theksuar portieri i të kuqve. – Skënderbeu vuan nga mungesa e një sulmuesi dhe shpresoj që kjo të më ndihmojë mua dhe mbrojtjen”.
Hoxha mungoi në takimin e fazës së dytë në Korçë, por thotë se nuk e tremb presioni i të luajturit atje. Madje, i pyetur për shanset që skuadra e tij ka për t’u shpallur “kampione”, 28-vjeçari nuk ka asnjë dyshim se skuadra e tij nuk për t’u dorëzuar deri në javën e fundit. “Nëse dalim me sukses nga dy sfidat e radhës me Skënderbeun dhe Kukësin atëherë shanset që të shpallemi kampion do të jenë 99 %”, – këmbëngul ai.
Përtej kampionatit aktual qëndron e ardhmja e Hoxhës, i cili nuk jep detaje për një ofertë të mundshme nga jashtë, por shton se ideja për të provuar një eksperiencë të re e josh. “Kjo është një çështje që i përket klubit. Vendimin do ta marrë Partizani. Mua më josh ideja për të luajtur jashtë por për këtë do të vendos pasi të shpallemi “kampionë””, – ka përfunduar portieri i Partizanit, Alban Hoxha.