AlbanianSport.com 03.12.2014 22:05
ASNN – Derbi i madh i kryeqytetit midis Partizanit dhe Tiranës do të zhvillohet të hënën, në orën 18:00, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” dhe për portierin e të kuqve, Alban Hoxha, triumfi në këtë sfidë historike vlen shumë më tepër sesa vetëm 3 pikë. Hoxha nuk pëson gol me Partizanin që pas javës së dytë të kampionatit me Apoloninë në Fier, por për 27-vjeçarin, rekordi personal nuk ka vlerë kundrejt suksesit të skuadrës.
Alban Hoxha është rikthyer në fushën e blertë pas një fatkeqësie familjare dhe, duke i falënderuar të gjithë ata që iu gjendën pranë dhe e mbështetën në këto javë të vështira, e ka hedhur vështrimin te derbi i madh i kryeqytetit. Hoxha nuk pëson gol me Partizanin që pas javës së dytë të kampionatit me Apoloninë në Fier, por për 27-vjeçarin, rekordi personal nuk ka vlerë kundrejt suksesit të skuadrës.
“Sigurisht që e mendoj rekordin personal, por më shumë rëndësi ka fitorja e Partizanit, – ka theksuar gardiani i portës së të kuqve. – Nëse fitojmë pa pësuar gol, do të ishte mjaft pozitive.” Për portierin e të kuqve, triumfi në këtë sfidë historike me Tiranën vlen shumë më tepër sesa vetëm 3 pikë: “Mua më intereson që në stadium të jenë sa më shumë tifozë të Partizanit, edhe pse do të ishte mirë që të kishte edhe mbështetës të Tiranës.”
“Ne jemi në vendin e parë dhe duhet ta ruajmë këtë pozicion, aq më tepër që do të kemi përballë një kundërshtar direkt”, – ka shtuar ai. Me apo pa kapitenin nderim Nexhipi në fushë, Partizani sipas Hoxhës i ka forcat për të mposhtur bardheblutë. “Unë nuk mund të them nëse do të luajë Nexhipi, kjo mbetet për t’u vlerësuar nga trajneri Duro gjatë seancave stërvitore”, – ka theksuar portieri i Partizanit.
“Megjithatë mund të them se Partizani sukseset i ka arritur si grup ndaj e them me bindje se kushdo që të luajë do të japë maksimumin”, – ka përfunduar Alban Hoxha. Derbi i madh i kryeqytetit midis Partizanit dhe Tiranës do të zhvillohet të hënën, në orën 18:00, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” dhe mbyll javën e 15-të të Kategorisë Superiore.