Albaniansport.net 22.01.2016 18:45
ASNN – Skuadrat e kategorisë superiore janë duke konfiguruar formacionet që do të luajnë në kampionat. Kështu, në prag të ndeshjeve të para të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, Partizani vazhdon të përforcohet me lojtarë cilësorë ndërsa Flamurtari ka prezantuar Nastasin si përgatitësin e ri atletik të skuadrës. Partizani ndeshet të shtunën me Laçin për ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
Për këtë sfidë trajneri italian i të kuqve Agostineli e ka përgatitur ekipin gjatë javëve të para të janarit, teksa ka zhvilluar edhe disa miqësore. Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Dritan Dervishi, ka folur për merkaton që ka zhvilluar klubi deri tani dhe si do të vijojë. Ndërsa Flamurtari përveç lojtarëve cilësorë që ka afruar në ekip, ka vendosur të krijojë edhe një staf sa më profesionist.
Të premten, drejtori i klubit Ardi Behari ka prezantuar Profesor Marko Nastasi, i cili do të jetë përgatitësi atletik i skuadrës kuqezi. “E di gjendjen e Flamurtarit dhe kam parë merkaton që ka bërë, – ka thënë Nastasi. – Ju them që nuk është kurrë vonë që skuadra të ngjitet në renditje.”
“Ne, të gjithë së bashku do të punojmë për të arritur objektivin e vënë nga drejtuesit e klubit”, – ka përfunduar Marko Nastasi, i cili do të jetë përgatitësi atletik i skuadrës kuqezi. Edhe Flamurtari përgatitet për ndeshjen çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, ndaj Tiranës, që do të luhet të dielën.