AlbanianSport.com 25.04.2016 15:20
ASNN – Partizani shpreson për fitoren sot në Kukës, për të bërë një hap të madh drejt titullit “kampion”. Në fakt, është i vetmi që nuk e ka provuar shijen e humbjes në Kategorinë Superiore. Ky fakt gjithsesi nuk mund të mjaftojë që trajneri i Partizanit, Andrea Agostineli, të ndihet i qetë.
Skuadrës së tij ndoshta nuk do t’i bënte punë as barazimi sot në Kukës, nëse Skënderbeu triumfon ndaj Tiranës. Italiani, që i ka dhënë edhe më shumë agresivitet një ekipi të fortë fizikisht, do të ketë provën më të vështirë të këtyre muajve në drejtimin e kryeqytetasve.
Përballë do të jetë një ekip që po fiton radhazi, që ishte i aftë të thyente dhe vetë Skënderbeun, diçka që Agostineli dhe Partizani I tij nuk e arritën dot. Këtë edicion, të kuqtë i kanë fituar të tria ndeshjet ndaj kukësianëve, veçse çdo përballje nis 0-0. Nga ana tjetër, Kukësi nuk synon titullin, por nuk është pa objektiva.
Në të kundërt, trajneri Klodian Duro e di se besimin e presidentit do ta ketë vetëm nëse zë vendin e tretë në Kategorinë Superiore dhe nëse fiton Kupën. Kjo do të thotë se duhet rezultat ndaj Partizanit. Por verilindorët duken optimistë. Sfida në Stadiumin “Zeqir Ymeri” nis në orën 16:00, me Partizanin që është i dyti, me dy pikë më pak se Skënderbeu, dhe Kukësin në vendin e tretë, por jo larg Teutës e Tiranës.