AlbanianSport.com 11/12/2017 09:05
ASNN – Partizani ka marrë një fitore të vuajtur, por të vyer, të dielën, duke mposhtur Teutën 2-1 në kryeqytet dhe duke u ngjitur mbi durrsakët në renditje, në vendin e 6-të. Sfida e fundit e javës së 14-të të Kategorisë Superiore, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, u vendos nga një gol i shënuar në fundin e minutave shtesë.
Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka mbyllur të dielën javën e saj të 14-të, me takim midis Partizanit dhe Teutës, që ashtu sikundër ndodhi edhe në fazën e parë, u fitua nga të kuqtë kryeqytetas me shifrat 2-1. Në fakt, kjo ndeshje, e planifikuar të niste në ora 18:00, nuk ka nisur në orar, për shkak se Partizani ka kërkuar të lejoheshin në stadium tifozët e kuq, të cilëve policia u ka kërkuar karta identiteti së bashku me biletat e ndeshjes.
Megjithatë, pas diskutimeve midis kapitenit Batha, trajnerit Starova, delegatit dhe gjyqtarëve të ndeshjes, por edhe drejtuesve të Partizanit dhe shefave të Policisë të të pranishëm në “Selman Stërmasi”, tifozët e të kuqve kryeqytetas janë lejuar të futen në stadium dhe loja ka nisur 12 minuta pas orarit të saj zyrtar. Çerekora e parë e lojës ka folur më tepër për bregdetarët, të cilët kanë qenë më kërkues, ndërsa Partizani ka qenë apatik në lojën e vet.
Madje do të jetë Teuta që do të gjejë golin e parë, në minutën e 19-të, kur Bilali godet fuqishëm në kufinjtë e zonës, grushton Hoxha, por Cmajcanin tregohet i vëmendshëm dhe, ndonëse në pozicion të prirët, godet fort dhe e mposht gardianin e portës së të kuqve. Teuta kryeson 1-0, por të zotët e shtëpisë reagojnë dhe menjëherë vjen një rast i Partizanit, kur godet Fili me kokë, por mbi shtyllën horizontale. Megjithatë, 4 minuta pas golit të të Teutës, Partizani gjen golin e barazimit.
Asani vertikalizon një top të zgjuar për Trashin, që sidoqoftë arrin ta godasë topin dhe, përtej një devijimi të portierit durrsak, ai prehet në rrjetë. 1-1 dhe Partizani është zgjuar dhe e synon më tepër portën e bregdetarëve. Golashënuesi Trashi është protagonist në dy raste në minutën e 36-të, por shokët e tij të skuadrës, fillimisht Progni, e më pak Asani, nuk arrijnë të gjejnë golin në pozicione të volitshme për shënim. Me një tjetër rast për Partizanin do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do të ketë 3 tablo loje.
Në çerekorën e parë të saj, është Partizani që krijon një vëllim më të madh loje dhe ka raste të mirë për shënim, por pa arritur t’i finalizojë ato. Çerekora e dytë do ta shohë Teutën në kontroll të lojës, me durrsakët që ndërtojnë dhe shkojnë dëm raste për shënim, ca për nxitim dhe gabimet e vet e ca për meritë të mbrojtjes dhe portierit të Partizanit, Hoxha, që neutralizon bukur një aksion të Hakajt.
Çerekora e fundit e ndeshjes do të kthehet të flasë sërish për Partizanin, që do të hidhet në kërkim të golit të fitores. Dhe të kuqtë do të arrijnë ta gjejnë golin 8 sekonda para fundit të minutës së 4-t shtesë, nga 4 të tilla, kur kapiteni Batha do kthejë në rrjetë një pasim nga e majta. Partizani ka marrë kështu një fitore të vuajtur, por të vyer, duke mposhtur Teutën 2-1 në kryeqytet dhe duke u ngjitur mbi durrsakët në renditje, në vendin e 6-të.