AlbanianSport.com 29.08.2015 16:50
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të premten në mbrëmje ndeshjen e parë të javës së saj të dytë dhe Partizani ka triumfuar në kryeqytet ndaj Flamurtarin, duke marrë një fitore të vështirë në sekondat e fundit ndaj vlonjatëve.
Kjo ndeshje, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 20:00, u vendos nga një 11-metërsh i akorduar në favor të kuqve në minutën e 4-t shtesë, që u shndërrua në gol nga Xhevahir Sukaj.
Vlonjatët patën kaluar të parët në epërsi në 10-minutëshin e parë të pjesës së dytë, por Partizani kishte barazuar 20 minuta më vonë dhe mori 3 pikët me goditjen e saktë të shkodranit nga pika e bardhë. Tri takimet të tjera të javës së dytë luhen të shtunën dhe, duke nisur nga ora 17:00, Laçi pret Tiranën, ndërsa duke nisur nga ora 20:00, Kukësi është mysafir në Korçë për t’u ndeshur me Skënderbeun.
Kurse Teuta përballet në Durrës me Vllazninë. Java e parë mbyllet të dielën, me takimin e orës 17:00, midis dy skuadrave të sapongjitura në Kategorinë Superiore, Bylisit dhe Tërbunit.
Kategoria Superiore
Java e dytë
Të premten, 28 gusht 2015:
Partizani – Flamurtari 2-1
Shënues: Trashi 73’, Sukaj 90’+4(11-m.) / Trap 56’
Të shtunën, 29 gusht 2015:
Laçi – Tirana (17:00)
Skënderbeu – Kukësi (20:00)
Teuta – Vllaznia (20:00)
Të dielën, 30 gusht 2015:
Bylis – Tërbuni i Pukës (17:00)