AlbanianSport.com 19/04/2018 11:10
ASNN – Të kuqet e Roland Tares kanë fituar dhe ndeshjen e dytë finale me Barletin Volej, me të njëjtin rezultat 3-1, dhe presin kurorën. Partizani në volejboll për femra është vetëm një hap larg titullit “kampion”, teksa mbrëmë, në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në kryeqytet, ka fituar finalen e dytë të titullit “kampion” ndaj Barletit Volej.
Fitore me të njëjtin rezultat, 3-1, por përsëri me “sëmundjen” e zakonshme që Partizani zgjohet vetëm pasi ka humbur setin e parë me Barletin Volej. Nën mbështetjen maksimale të tifozerisë së kuqe, janë rikthyer dhe “Guerrils”-at, Partizani nuk kishte si bënte ndryshe. Dhe e shtuna, tashmë në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, pritet të rikthehet në festë të Partizani.
Ashtu sikurse ka ndodhur më 3 mars në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në fakt, 3 herë janë takuar në finalet për titull “kampion” midis tyre Barleti Volej dhe Partizani. Dy tituj i ka marrë Barleti Volej, në sezonin 2013-2014 dhe atë 2016-2017, e tashmë tani duket se është koha e të kuqeve të Tares. Ka festë tek Partizani, që pret të ngrejë trofeun e “kampiones”.