AlbanianSport.com 22.04.2016 12:05
ASNN – “Një sfidë e vështirë, përballë një kundërshtari që, ndryshe nga ne, nuk është nën presion”. Kështu e ka cilësuar mesfushori brazilian i të kuqve takimin midis Kukësit dhe Partizanit, që është i vlefshëm për javën e 32-të të Kategorisë Superiore. Kjo ndeshje, që do të luhet të hënën në Stadiumin “Zeqir Ymeri”, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 16:00.
Partizani përballet të hënën me Kukësin dhe për brazilianin e të kuqve, Felipe Gomesh kjo është një sfidë e vështirë. “Kukësi është një skuadër e mirë, e cila ka bërë një paraqitje të konsoliduar, si në fazën sulmuese edhe në atë mbrojtëse, – ka thënë ai, duke folur në konferencën për shtyp të mbajtur sot në zyrat e klubit të Partizanit në kryeqytet. – Për më tepër, luajmë në fushën e tyre dhe kundër një skuadre që nuk është si ne, nën presionin e betejës për titull.”
“Kjo, pasi e ka siguruar finalen e Kupës së Shqipërisë si dhe është “çimentuar” në vendin e 3-të, pra, luan në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm”, – ka shtuar braziliani i kryeqytetasve. Duke theksuar se nuk ka patur shumë të bëjë me kontingjentin e bashkëatdhetarëve të tij tek skuadra verilindore, Gomesh ka përsëritur se Partizani mbetet i përqendruar tek gara për titullin “kampion” me Skënderbeun dhe se të kuqtë besojnë deri në fund tek ky objektiv.
Takimi midis Kukësit dhe Partizanit, që është i vlefshëm për javën e 32-të të Kategorisë Superiore, do të luhet të hënën në Stadiumin “Zeqir Ymeri” dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 16:00.