AlbanianSport.com 16/10/2018 14:20
ASNN – Dëmtimi i portierit Alban Hoxha në stërvitjen e Kombëtares, solli panik në radhët e të kuqve të Partizanit, të cilët e kanë gardianin e tyre pikën e fortë të skuadrës dhe një prej më efikasët në formacionin e kuq. Nëse Partizani është në vend të parë kjo ka ardhur për meritë të grupit e ku një peshë të rëndësishme ka edhe Hoxha.
Dje klubi mbajti një qëndrim të shkurtër në profilin e tij zyrtar në “Facebook”, ku saktëson se lojtari ka një dëmtim të ligamentit të gradës së parë dhe do të mungojë disa ditë. Flitet në mjedisin e kuq për një mungesë dyjavore, që nuk është kushedi se çfarë po të mendohet fakti se flitet për ligamentin.
Sidoqoftë, në qëndrimin e klubit ka pak “errësirë”, pasi nuk jepet data e saktë e kthimit të lojtarit, përmendet vetëm togfjalëshi “disa ditë”. Portieri Hoxha ka pasur këtë problem dhe më parë dhe ka munguar disa muaj. Shpresohet që dëmtimi të mos jetë i rëndë, sepse ai përbën pikën më të fortë ku bazohet Partizani.
Dëmtimi përkon me atë të katër viteve më parë, ku i njëjti portier pëson të njëjtin problem, por atë edicion Hoxha u kthye dhe theu rekordin e minutave pa pësuar gol që është 1084 minuta.