AlbanianSport.com 19.12.2014 12:05
ASNN – Në kuadër të javës së 18-të, që është edhe java e fundit e fazës së dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Partizani është mysafir në “Elbasan Arena”, për t’u ndeshur me skuadrën vendase. Pavarsisht dy humbjeve radhazi, që i kanë zbritur të kuqtë kryeqytetas nga kreu i renditjes në atë të 3-tin, për trajnerin Shpëtim Duro, gjendja nuk është shqetësuese.
Partizani shkon në përballjen e së dielës me Elbasanin, pas dy humbjesh radhazi, që i kanë zbritur të kuqtë kryeqytetas nga kreu i renditjes në atë të 3-tin. Për trajnerin Shpëtim Duro, humbja me Vllazninë ishte rrjedhojë e lojës së dobët, por gjendja nuk është shqetësuese. “Për një javë situata ndryshoi”, – ka deklaruar trajneri i Partizanit, duke folur për mediat gjatë konferencës për shtyp dhënë sot në zyrat e klubit.
“Ne i kemi analizuar dy humbjet e fundit, – ka vijuar kreu i pankinës së të kuqve. – Disfata me Vllazninë ishte e merituar për mënyrën se si u zhvillua loja. Ne nuk u treguam një skuadër kompakte. Pas fitores me Tiranën duhej të përfitonim por situata aktuale nuk është shqetësuese. Elbasanin e vlerësojmë maksimalisht dhe parashikoj një sfidë të vështirë.”
Sipas trajnerit të të kuqve, Partizani mbetet në rrugë të mbarë për objektivat e sezonit. “Skuadra i ka mundësitë dhe mjetet për të luftuar deri në fund për objektivat që ka”, – ka theksuar Duro. Për ndeshjen me Elbasanin, që do të luhet në stadiumin e rinovuar “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 17:00, Partizanit do t’i mungojë Cuculi dhe Batha, ndërsa pjesa tjetër është e gatshme për trajnerin Shpëtim Duro.