AlbanianSport.com 16.05.2015 19:10
ASNN – Partizani do të presë të dielën Vllazninë, në ndeshjen e parafundit të Kategorisë Superiore. Trajneri Shpëtim Duro kërkon të sigurojë rikthimin e skuadrës së tij në Kupat e Evropës.
Por, rikthimi i mundshëm në Kupat e Evropës e detyron Duron të shohë më larg. Dhe trajneri shpreson që të mos ketë shumë largime nga skuadra dhe në transferimin e futbollistëve cilësorë në merkaton e verës.
Duke lënë të hapur çështjen Rrahmani për të cilin kanë nisur të qarkullojnë zëra për një largim të mundshëm, Duro shtoi se dëshiron që grupi aktual të mos ndryshojë as për sezonin e ardhshëm.
“Skuadra e vitit tjetër është kjo aktualja, – theksoi trajneri i të kuqve kryeqytetas. – Unë dua që të qëndrojnë të gjithë futbollistët e grupit që kam tani.” Por cili ishte aspekti që bëri diferencën mes Skënderbeut dhe Partizanit të Duros?
“Çelësi i suksesit për Skënderbeun është eksperienca dhe këtë e treguan në dy ndeshjet vendimtare ndaj Kukësit e Tiranës. Këtë synoj të arrij edhe unë në të ardhmen me Partizanin”, – përfundoi trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro.
Kur mbeten edhe dy javë nga fundi i Kategorisë Superiore, Partizani renditet në vendin e katërt, por favorizohet edhe nga përballja mes dy rivalëve direktë, Kukësit dhe Tiranës, që gjithashtu kërkojnë të luajnë në Ligën e Evropës.