AlbanianSport.com 27/11/2018 17:25
ASNN – Në morinë e lajmeve jo dhe aq të këndshme, një lajm i mirë i ka ardhur Partizanit nga një burim i pazakontë, siç është Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Futbollisti i të kuqve, Lorenc Trashi ka shpëtuar vetëm me një gjobë për atë përplasje që ka patur me tifozët vlonjatë në humbjen minimale të javës së shkuar me Flamurtarin.
Pavarsisht se drejtuesit e klubit të kuq i trembeshin një pezullimi për disa ndeshje, Disiplina është treguar zemërgjerë dhe është mjaftuar me një gjobë prej 50,000 lekësh për sjellje jo sportive ndaj publikut në përfundimin të ndeshjes. Një gjë e tillë është mësuar pas shpalljes së vendimeve të trupa disiplinore e futbollit shqiptar ka marrë në mbledhjen e saj të ditës së martë.
Kjo nënkupton se futbollisti do të jetë në dispozicion të trajnerit Skënder Gega për derbin e madh të kryeqytetit me Tiranën. Më herët, klubi i Partizanit pati deklaruar se ky rast konsiderohet sporadik dhe prandaj nuk do të marrë asnjë masë ndaj lojtarit, aq më shumë që ndeshja ishte mbyllur dhe gjithçka ndodhi nga akumulimi i ofendimeve ndaj Trashit.
Lojtari nuk ka duruar, pasi gjatë gjithë ndeshjes është ofenduar nga vlonjatët dhe për këtë arsye ka ndodhur edhe dufi i tij. Nga Vlora u raportua se mbrojtësi është këshilluar edhe nga drejtori Olsi Rama, i cili i ka tërhequr vëmendjen që të mos replikojë me tifozët.