AlbanianSport.com 03.05.2015 17:20
ASNN – Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro beson se do të thellojë bilancin pozitiv në ndeshjet derbi të këtij sezoni kundër Tiranës. Ai është shprehur se fitorja në sfidën e së hënës do të vuloste vendin e dytë në renditje për skuadrën e tij.
Në tre përballjet e para të sezonit ka një bilanc pozitiv. Por për trajnerin e Partizanit, Shpëtim Duro, statistikat nuk kanë rëndësi aq më shumë në ndeshjet derbi. Për këtë arsye, ai nuk bën parashikime për sfidën e së hënës kundër Tiranës.
Por sigurisht që Duro kërkon t’i shtojë sezonit një tjetër fitore kundër rivalëve të përjetshëm. Trajneri i Partizanit e mbështet optimizmin e tij në faktin se ndryshe nga ndeshjet e shkuara, të gjithë futbollistët e tij e dinë se çfarë do të thotë një derbi.
Përballja e së hënës nuk vlen vetëm për prestigj. Për Duron, një fitore ndaj Tiranës do t’i siguronte ekipit të tij vendin e dytë në renditje. Trajneri i Partizanit ka marrë lajme të mira edhe nga skuadra në seancën e fundit stërvitore.
Përveç sulmuesit Raçiç edhe portierit Hoxha, edhe mesfushori Trashi duket se i kanë kaluar problemet dhe pritet të zbresin në fushë për të kuqtë kryeqytetas, në derbin kundër Tiranës.