AlbanianSport.com 10/04/2021 12:40
ASNN – Partizani do të përballet me Bylisin të dielën në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet dhe të kuqtë kërkojnë të rikthehen te fitorja, pas dy barazimeve të marra radhazi. Këtë e ka konfirmuar trajneri Daja në konferencën për shtyp, të mbajtur paraditen e të shtunës.
– Keni zhvilluar së fundmi dy ndeshje të mira , por ka munguar finalizimi…
– Ju përshëndes për këtë konstatim, të cilin pak veta e kanë vënë re. Sigurisht nuk kemi shkuar te fitorja në këto dy ndeshjet e fundit, por në pjesën më të madhe të tyre kemi qenë dominues. Ajo që na ka munguar ka qenë finalizimi. Kemi punuar gjatë gjithë javës pikërisht përpara portës për të rritur edhe këtë element shumë të rëndësishëm. Kemi të gjithë kontingjentin në dispozicion dhe mendoj që ka ardhur koha që përveç lojës së bukur të marrim edhe rezultatin. Ndaj Bylisit do futemi vetëm për fitore, sepse kjo na bënë të mundur të vazhdojmë drejt kreut më me potencë sepse ndeshjet e mbetura janë të gjitha finale deri në fund.
– Partizani nuk fiton në shtëpi ndaj Bylisit prej disa vitesh…
– Unë po i referohem vetëm këtij sezoni, sepse statistikat sigurisht janë për tu përmirësuar dhe për t’u ndryshuar. Nuk e di çfarë ka ndodhur më parë jo vetëm për këtë ndeshje, por me Bylisin në përgjithësi janë sfida të vështira sepse ka një tjetër mënyrë interpretimi të lojës. Besoj që në kushte optimale siç do të zhvillohet ndeshja nesër, besoj që do të rrezikojmë në maksimum për të marrë fitoren.
– Në 8 ndeshjet e fundit për pikët e grumbulluara Bylis ka një ecuri më të mirë se Partizani…
– Unë jam trainer i Partizanit dhe nuk mendoj ta copëtoj kampionatin nëse i referoheni 8 javëve që ju i referoheni. Ne jemi me diferencë në tabelën e klasifikimit, që do të thotë se nëse nisemi nga vazhdimësia kemi bërë një kampionat shumë herë më të mirë. E citova edhe më parë që Bylis nuk është një ekip i lehtë për t’u mundur , por ne kemi potencialin dhe motivin e duhur që nesër të luftojmë për marrjen e 3 pikëve.
– Ç’mund të themi për afrimet e merkatos së janarit?
– Mendoj që ne i kemi rritur pritshmëritë me lojrat dhe rezultatet që kemi arritur pasi në nisjen e kampionatit askush nuk pretendonte që Partizani do të ishte në luftë për titullin kampion. Jemi 2 pikë larg kreut , që do të thotë që jo vetëm kemi ndryshuar pritshmërinë, por me atë që kemi treguar deri tani ku diferenca me kreun është vetëm 2 pikë jemi në luftë bashkë me ekipet e tjera për objektivin maksimal. Në merkaton e janarit nuk kemi bërë ndonjë çudi të madhe sepse ekipi nuk ndërtohet në merkaton e janarit. Presim që, në ato vende që jemi përforcuar në merkaton e janarit t’i shikojmë në vazhdimësi, sepse deri në këto momente që flasim ka qenë i njëjti kontingjent që ka startuar kampionatin, përveç Çinarit dhe Murataj, kemi patur vetëm 4 mbrojtës. Të gjitha këto nuk janë për t’u justifikuar, këto janë për të treguar atë që Partizani ka bërë konkretisht. Kemi bërë një punë goxha të mirë, sepse jemi edhe ne një nga pretendentët për ta fituar këtë kampionat, pavarsisht që në start nuk jemi nisur si të tillë.
– Bylisi është një skuadër agresive sportivisht, si do t’i përgjigjet Partizani?
– Bylisi e ka këtë lloj elementi në lojën e vet, ne kemi një mënyrë tjetër, por për t’i shkuar përgjigjes do të thoja që ne duhet të jemi shumë të shpejt . Ky është agresivitetit që kemi ne si grup ta fusim Bylis në ritmin tonë për të qenë agresiv në kapjen e hapësirave, sidomos hapësirave ku shënohen golat.
– Zhvillimi i ndeshjes në Stadiumin“Arenën Kombëtare”… ç’mendim keni?
– Në ndeshjet e zhvilluara në Elbasan ne nuk jemi ankuar asnjëherë për fushën. Në të njëjtën gjendje është edhe Stadiumi “Arena Kombëtare”. Besoj që kushtet për të luajtur futboll janë optimale dhe na mbetet vetëm t’i shfrytëzojmë këto mundësi që na krijon klubi për të patur një paraqitje sa më të mirë.
– Ndaj Vllaznisë në pjesën e dytë Partizani pati një rënie në lojë…
– Për të qenë konkret ndaj Vllaznisë ne kemi qenë dominues për 65 minuta, më pas loja u barazua. Përballë Vllaznisë e cila kryeson kampionatin nuk ka qenë asnjë ekip tjetër të ketë qenë aq dominues për aq minuta sa ishte Partizani. Natyrshëm që në këtë lloj situatë që po kalojmë do të ketë luhatje, jo vetëm Partizani, por të gjitha ekipet që luftojnë për titullin. Mendoj që kemi gjëra për të përmirësuar por në raport me ndeshjen e fundit kemi qenë më dominues në 2/3-at e lojës .Kjo na bën që të besomë që ne kemi forcat e duhura për të vazhduar, siç kemi bërë deri tani, ndoshta edhe më fort.
– Sa e rëndësishme është fitorja ndaj Bylisit?
– Në çdo ndeshje hyjmë për të marrë 3 pikët. Fitorja ndaj Bylisit ndoshta do na kthente në atë optimizëm dhe anë psikologjike ashtu siç kemi qenë edhe përpara disa takimeve. Mendoj që është një pikë kthese që na duhet patjeter për të vazhduar pastaj edhe për fazën e fundit të kampionatit.