AlbanianSport.com 03/05/2021 23:40
ASNN – Trajneri i Partizanit dhe futbollisti i të kuqve, Jasir Asani, flasin posaçërisht për RTSH Sport. Partizani ka mposhtur minimalisht Apoloninë të hënën, në ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe si trajneri Ilir Daja, ashtu edhe golashënuesi Jasir Asani, e pranuan se ishte një fitore e vështirë. “Duket fitore e vuajtur nga rezultati, por po të nisemi nga rastet para portës, nuk ishte dhe aq e vuajtur, – ka thënë Daja. – Nga momenti në moment me situata që kishim para portës, prisnim që të shkonim te goli.”
“Në pjesën e dytë ekipi krijoi, rrezikoi gjithçka, kaluam me shumë forca në sulm, ku Apolonia po mbrohej fort, – ka vijuar ai. – Goli na dha një qetësi, përveç lojës së mirë që kemi bërë kemi marrë dhe pikët.” Ndërkaq, Asani tha: “E nisëm shumë mirë dhe e kishim vlerësuar maksimalisht Apoloninë, E donim këtë fitore me çdo kusht. Apolonia është e lehtë në letër, por janë kundërshtar i vështirë.” Si kreu i stolit, ashtu edhe futbollisti i të kuqve kryeqytetas e pohojnë nevojën për një rendiment më të madh sa i përket shënimit të golave.
“Kjo është pjesë e futbollit, e rëndësishme është të krijojmë raste, – ka thënë Daja. – Freskia fizike ndikon në zgjidhjen përpara portës. Kemi bërë gjithçka për ta fituar lojën. Mund të kishim shënuar më përpara, për të gjetur qetësinë dhe për të shënuar më shumë gola në fitore. Vuajtëm, krijuam dhe morëm 3 pikët shumë të nevojshme në këto javë që po shkojnë drejt fundit.” Partizani kryeson tanimë renditjen me 57 pikë, një më tepër sesa Teuta dhe 3 më tepër sesa Vllaznia, por Daja dhe Asani e hedhin vështrimin tek ndeshja e radhës.
“Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës aty, pavarësisht se nuk kemi qenë asnjëherë vetëm në krye, që nga fillimi i kampionatit kemi qenë prezent, dhe nuk do të ndryshojë asgjë, pozicionimi në vendin e parë”, – ka thënë trajneri i të kuqve. Jam i lumtur për golin, – ka shtuar Asani. – Nuk është pak të shënosh për Partizanin 9 gola. Duhet ta mbajmë fort vendin e parë dhe të mos e lëshojmë më. Jemi ekipi më i mirë dhe këtë e kemi treguar gjatë ndeshjeve.”