AlbanianSport.com 23/11/2018 19:55
ASNN – Flamurtari ka fituar sonte në mbrëmje ndaj Partizanit me rezultatin 1-0. Ishte një ndeshje mjaft e mirë për vlonjatët, të cilët shfaqën që në fillim të takimit dominimin e tyre dhe falë një goli me vlerë të malazezit Bushiç, ia dolën të merrnin tri pikë që i konfirmon ata në zonën e renditjes ku shpresohet pjesëmarrja në Ligën e Evropës. Partizani bie në Vlorë përballë Flamurtarit dhe rrezikon këtë herë të humbasë sërish kryesimin e Kategorisë Superiore.
Gjithçka ndodhi në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, në kuadër të javës së 14-të të kampionatit, ku kuqezinjtë fituan ngushtë 1-0 ndaj të kuqve kryeqytetas, mjaftueshëm për një trepikësh mjaft domethënës. Në stadiumin e Vlorës kishte këtë herë qetësi, edhe pse rikthimi i tifozëve i dha bukuri ndeshjes. Të dyja skuadrat u treguan “fair” dhe dhuruan një futboll relativisht të mirë, me sulme e kundërsulme por që vendimtar u tregua Bushiç me golin e tij në minutën e 10-të.
Në fakt, më i miri i ndeshjes ishte Elton Kale, braziliani që ishte larguar zyrtarisht nga Kukësi vetëm tri ditë më parë dhe që trajneri Ilir Daja preferoi ta aktivizojë atë titullar. Dhe pati të drejtë, pasi Kale ishte i papërmbajtshëm në duelin e sotëm. Së bashku me Idriz Bathën, ish-lojtar i Partizanit, ata ishin nga më të mirët në fushë dhe ia dolën të ndihmonin ekipin vlonjat të frenonte Partizanin dhe njëherësh ta komplikonte dhe më tej grupin e kryesuesve të Superiores.
Natyrisht, Flamurtari ra fizikisht në pjesën e dytë dhe Partizani krijoi disa raste, por finalizimi për gol mungoi. Edhe trajneri Ilir Daja tha pas takimit se dyshja Batha-Kale e interpretuan si duhet ndeshjen, kurse rivali i tij i Partizanit, Skënder Gega, theksoi se humbjet janë të pranueshme në një kampionat të rivalizuar si këtë sezon dhe në udhëtim ndaj një kundërshtari me pretendime si Flamurtari. Ndërkohë, dy ndeshje të tjera të javës së 14-të do të luhen të shtunën.
Në mbrëmje është përballja Teuta-Luftëtari, ndërsa më herët është kryedueli i kësaj jave, ai i kryeqytetit Tirana-Skënderbeu. Të dielën Kategoria Superiore vijon me ndeshjet Laçi-Kastrioti dhe Kukësi-Kamza. Renditjen vijon ta udhëheqë Partizani, me 31 pikë, por një fitore e mundshme e Skënderbeut në duelin e së shtunës me Tiranën mund të përmbysë të kuqtë.
Kategoria Superiore
Java e 14-të
Të premten, 23 nëntor 2018:
Flamurtari – Partizani 1-0
Të shtunën, 24 nëntor 2018:
Tirana – Skënderbeu (14:00)
Teuta – Luftëtari (17:00)
Të dielën, 25 nëntor 2018:
Kukësi – Kamza (14:00)
Laçi – Kastrioti (14:00)
Renditja:
- Partizani 31
- Skënderbeu 29
- Teuta 22
- Flamurtari 22
- Laçi 22
- Kukësi 21
- Luftëtari 13
- Tirana 10
- Kamza 8
- Kastrioti 7