Adriatik Balla 10.05.2015 12:10
Partizani ka fituar në Vlorë me rezultatin 1-0 ndaj Flamurtarit, duke marrë tri pikë të vyera për objektivin “Ligë e Evropës”. Mbeten dhe dy javë garë deri në fund dhe Partizani kalon pengesën e parë, duke marrë një trepikësh që i jep shpresë për të qenë në garë në një veprimtari të rëndësishme të UEFA-s.
Ndeshja në tërësi ishte më e mirë për kryeqytetasit, të cilët nuk hasën në vështirësi, sepse Flamurtari kishte angazhuar shumë të rinj. Për trajnerin Shpëtim Duro ndeshjen e zgjidhi mesfushori Mentor Mazrekaj që shënoi golin e fitores në minutën e 22-të, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit.
Episodet e tjera nuk patën rëndësi, sepse nuk përfunduan me gol. Në pjesën e dytë u punua shumë pak nga të dyja skuadrat, sidomos nga ekipi vendas, i cili u pajtua me humbjen. Flamurtari nuk rrezikon rënien një kategori më poshtë dhe i zhvillon ndeshjet në këtë periudhë thjesht për statistikë.
Rivaliteti ishte episodik dhe në tërësi mund të pranohet se Partizani mori një fitore të merituar, pasi punoi më shumë dhe e kërkoi suksesin. Tashmë skuadrës së kuqe i mbetet për detyrë të fitojë dy përballjet e mbetura që të shpresojë pjesëmarrjen në Ligën e Evropës.
Që të ndodhë kjo duhet që njëra prej dy rivaleve, Kukësi ose Tirana, të zhgënjejnë në ndeshjet e tyre.