AlbanianSport.com 04.01.2016 13:05
ASNN – Andrea Agostineli është prezantuar si trajneri i ri i Partizanit, duke premtuar t’i rikthejë klubit të kuq lavdinë e munguar prej shumë vitesh. Vetë 58-vjeçari është i ndërgjegjshëm për sfidën që e pret, por ka theksuar se titujt dhe trofetë fitohen duke e konsideruar çdo ndeshje si ndeshjen më të rëndësishme në jetë dhe këtë kërkojë nga lojtarët e tij.
Partizani e ka nisur vitin e ri 2016 duke prezantuar trajnerin e ri, Andrea Agostinelin, i cili ka një “CV” të pasur si lojtar, por edhe si trajner, kryesisht në nivele modeste të kampionatit italian të futbollit. Vetë 58-vjeçari është i ndërgjegjshëm për sfidën që e pret. “Vij në këtë klub prestigjioz, por edhe këtij kryeqyteti, për t’i kthyer atë që u mungon prej shumë vitesh, titullin e shumëdëshiruar “kampion””, – ka thënë ai.
“Natyrisht, që gjatë prezantimit, të gjithë flasin fjalë të bukura dhe premtime, por mua më duket vetja si në ditën e parë të shkollës dhe gjithçka mund t’ju them është se do të jap maksimumin tim për ta bërë realitet ëndrrën e madhe të Partizanit, – ka shtuar Agostineli. I pyetur nga AlbanianSport.com, trajneri i ri i Partizanit e ka cilësuar veten si një “babagjysh” i vitit të ri për të kuqtë.
“Unë shpresoj të jem i tillë dhe një fat i mbarë për Partizanin, por jam gjithashtu i ndërgjegjshëm se nuk mund të futemi në fushën e blertë duke menduar tjetër gjë veç fitores, – është përgjigjur Agostineli. – Titujt dhe trofetë fitohen duke e konsideruar çdo ndeshje si ndeshjen më të rëndësishme në jetë dhe këtë kërkoj nga lojtarët e mi.” Menjëherë pas konferencës për shtyp, trajneri i ri Partizanit ka vijuar me seancën e parë stërvitore me skuadrën.