AlbanianSport.com 03.03.2016 10:50
ASNN – Të premten, Partizani ndeshet me Tiranën në derbin e vlefshëm për javën e 24-t të Kategorisë Superiore. Duke folur në prag të tij, trajnerët e të dy skuadrave kanë vlerësuar rëndësinë e kësaj sfide, por kanë kërkuar nga tifozeritë përkatëse që këtë derbi ta shohin si një festë.
“Derbi është një ndeshje e veçantë dhe nuk vlen vetëm 3 pikë dhe ata që thonë nuk është kështu, janë hipokritë, – ka thënë trajneri i të kuqve, Andrea Agostineli. – Ky derbi për mua, është derbi ynë, është derbi i tifozëve tanë dhe do të futemi në fushë për ta fituar këtë ndeshje për ta, duke mos menduar për një moment për luftën për titull.
Italiani i stolit të Partizanit është nën presion, por nuk e shikon derbin si një “ditë gjykimi” për të. “Në fakt, për vetë natyrën që ka, çdo derbi është në vetvete “ditë gjykimi”, sepse, nëse fiton je në altar dhe nëse humbet, të kryqëzojnë, – ka thënë ai. – Më kujtohet derbi që kam përjetuar si lojtar i Lacios.”
“Kur humbnim na dukej vetja sikur na kishte shtypur treni, por kur fitonim ishim në qiellin e shtatë, – ka kujtuar Agostineli. – Megjithatë, unë nuk ndjehem i kushtëzuar nga kjo ndeshje, pasi kam ardhur tek Partizani për një projekt afatgjatë dhe jo për bukën e përditshme.”
Takimi Partizani-Tirana do të luhet të premten në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në një trasmetim maratonë, që nis në ora 17:30 dhe vijon me ndeshjen në ora 18:00 dhe me intervistat pas saj deri në ora 20:00.