AlbanianSport.com 16/01/2019 16:15
ASNN – Paris SG-ja ndodhet në një turne promovimi katër-ditor në Katar. Me këtë rast ata kanë kryer një stërvitje të hapur para mijëra spektatorëve në stadiumin Ndërkombëtar Khalifa. “Këtu është Paris!”, flamuj me ngjyrë blu dhe të kuqe kështu ishte veshur stadiumi nga mijëra tifozë vendas të PSG-së.
Në këtë kompleks të madh sportiv është investuar shumë pasi ai do të presë edhe botërorin e ardhshëm të atletikës që do të zhvillohet nga data 27 shtator, deri më 6 tetor 2019. Të gjithë spektatorët shikonin të mahnitur idhujt e tyre, Nejmarin me shokë. Lojtarët e trajnerit Tomas Tuhel bënë një stëvitje klasike për gati një orë.
Stafi i klubit të Parisit, me presidentin Nasser Al-Khelaïfi në krye, por gjithashtu edhe mysafirë të shquar si ambasadori francez në Katar, ishin të pranishëm në këtë stërvitje të hapur për publikun. Katari do të presë Botërorin e Futbollit në 2022-shin, e para në histori që do të zhvillohet në dimër (21 nëntor-18 dhjetor).
Veprimtaria do të zgjasë vetëm 28 ditë, jo 32 si zakonisht. Ndërkohë që FIFA po studion mundësinë e zgjerimit të numrit të ekipeve pjesëmarrësve nga 32 në 48.