AlbanianSport.com 28/01/2019 14:10
ASNN – Stafi mjeksor i Paris SG-së po bën përpjekjet maksimale për të rikthyer në formë sulmuesin brazilian Nejmar, pas dëmtimit të tij javën e kaluar. Ylli brazilian dëmtoi të njëjtën këmbë me të cilën kishte pasur probleme edhe një vit më pare dhe situata nuk duket e mirë, gjë që ka futur në ankth edhe vetë klubin parizien.
Mediat franceze informojnë se stafi po e mban nën kontroll dhe po ushtron teste të ndryshme për të parë shkallën e reagimit dhe periudhën kur ai mund të jetë gati. Për këtë rast ka folur edhe vetë trajneri i Paris SG-së, Tomas Tuhel, i cili tha hapur se shanset që Nejmarin të jetë gati për duelin e parë me Mancester Junajtid në Ligën e Kampioneve më 12 shkurt 2019 janë minimale.
“Do të jetë shumë e vështirë ta kem të gatshëm Nejmarin ndaj Mançesterit, – tha Tuhel, – megjithatë, është ende shumë shpejtë të flasim për një datë rikthimi sepse do të duhet të presim dhe të shohim se si Nejmar do të reagojë ndaj trajtimit në mënyrë që të jemi më precizë për kohën se kur do ta kemi të gatshëm.”
Një vit më parë, Nejmar dëmtoi shputën e këmbës dhe u detyrua të mungojë afro 4 muaj. Ai mundi të kthehet në formë vetëm gjatë Botërorit të Rusisë, por nuk la shenjë, madje u bë objekt talljeje në rrjetet sociale, si pasojë e simulimeve të ekzagjeruara në fushën e blertë.