AlbanianSport.com 01/02/2024 16:45
ASNN – Ish-futbollisti legjendar italian, Paolo Rosi, vjen përgjatë muajit shkurt në një ekspozitë të veçantë në Tiranë dhe të enjten është organizuar edhe ceremonia e hapjes së saj. Në fjalën e tij, Kryeministri Rama e ka vënë theksin në kontekstin historik që Rosi dhe brezi i tij përfaqëson për Shqipërinë. Kështu, është çelur të enjten ekspozita unike mbi jetën dhe karrierën e legjendës italiane të futbollit, Paolo Rosi, por edhe e shumë prej legjendave të futbollit botëror që kanë lënë gjurmë në kujtesën e futbolldashësve.
Në ceremoninë e mbajtur pasdite në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e ka cilësuar Rosin si një personazh përtej përmasave jetësore. “Jemi me fat që kemi parë Paolo Rosin të luajë futboll, një sulmues tipik, një kontribues i madh i futbollit italian, i kombëtares italiane, sidomos me kulmin e tij në 1982, që ishte një nga kontribuesit kryesorë të fitores së titullit kampion të Italisë pas më shumë se 5 dekadash”, – ka thë ai.
“Fitues i “Topit të Artë” e i “Këpucës së Artë” i ka dhënë kënaqësinë tifozëve italianë dhe jo vetëm atyre, ka motivuar dhe ka edukuar shumë breza më tej, – ka vijuar Duka. – Paolo Rosi është ndarë fizikisht nga jeta e tij, por jo emri e vepra e tij. Kjo ekspozitë tregon që ai është i pavdekshëm dhe vazhdon të kontribuojë në botën e futbollit evropian dhe në edukimin e brezave të rinj.”
E teksa në këtë ceremoni kanë përshëndetur edhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabricio Buçi, por edhe Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, dhe ish-trajneri legjendar, Arrigo Saki, por edhe familjarët dhe bashkëkohësit dhe ish-shokët e skuadrës “axurre”, Antonio Kabrini dhe Marko Tardeli, në fjalën e tij, Kryeministri Rama e ka vënë theksin në kontekstin historik që Rosi dhe brezi i tij përfaqëson për Shqipërinë.
“Për ne, futbolli ka qenë një imazh i një bote tjetër, prania e një jete tjetër, – ka thënë ai. – Mundësia për të parë një pasqyrë që lëvizte, të një ëndrre të ndaluar. Për ne ishte dritarja e lirisë në errësirën e asaj kohe. Dua t’i ftoj të gjithë, të vijnë të ndjekin këtë ekspozitë. Futbolli hyn në çdo shtëpi, të paktën nga një anëtar i familjes. Forca e futbollit nuk është vetëm në atë çka ndodh për 90 minuta. Futbolli ndryshon, kultura dhe Paolo Rosi shkoi tej limiteve pa e humbur buzëqeshjen.”
Kjo ekspozitë e veçantë do të jetë e hapur për publikun deri më 24 shkurt në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet.