AlbanianSport.com 18/10/2018 08:50
ASNN – Vëllai i Berluskonit del kundër “Kavalierit”: Vështirë të gjesh lojtarë pa tatuazhe dhe vëthë. Silvio Berluskoni iu kthye futbollit duke blerë klubin e Monzës që garon në ligën C italiane. Ai ka futur në drejtim bashkëpunëtorët e tij që kishte më parë te Milani, ku spikat administrator i deleguar Adriano Galiani.
Në momentin e prezantimit Berluskoni deklaroi se do t’u jepte shans lojtarëve të rinj italianë, por jo atyre që mbajnë tatuazhe, vëthë apo flokë të gjatë. Por lojtarë që nuk kanë këto “shenja” vështirë të gjendjen dhe këtë e ka pranuar edhe vëllai i “Kavalierit”, Paolo Berluskoni.
“Skuadra është e mirë, por kemi konkurrencë të fortë, – ka deklaruar ai. – Për të shkuar në Serinë B do të duhet të përforcojmë ekipin edhe pse do të jetë e vështirë të gjejmë lojtarë pa tatuazhe apo flokë të gjatë siç i do Silvio. Edhe pse ai është i bindur se mund të fitojë duke gjetur lojtarë me ato karakteristika, unë dhe Galiani i kemi kujtuar se 3 në 11 mund të bëjnë përjashtim, siç ishte te Milani i tre holandezëve.”
“Por nuk do të largojmë ato lojtarë që kanë tatuazhe dhe që janë nën kontratë me ne”, -është shprehur vëllai i Silvio Berluskonit, Paolo Berluskoni.