AlbanianSport.com 16/10/2018 10:40
ASNN – Tek Skënderbeu bojkotojnë stërvitjen, Kamza ankohet se Bashkia s’jep më para. Në Korçë situata po zien. Skuadra e Skënderbeut dha dje sinjalin e parë të rebelimit, pasi kanë disa muaj pa marrë rrogat. Kanë kaluar 8 javë nga nisja e sezonit të ri futbollistik dhe lojtarët e Skënderbeut pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga klubi.
Jo vetëm kaq, por ata dhanë dje shenjën e parë të bojkotit, duke kërkuar nga drejtuesit e klubit që të zgjidhin drejt situatën. Historia me pagat e prapambetura në Korçë pati kohë që ka filluar, që nga fillimi i vitit. Madje ish-mesfushori i skuadrës Sabien Lilaj, e ka çuar Skënderbeun në gjyq, për mos dhënien e 126 mijë eurove. Sipas informacioneve që servirin vetë lojtarët, ka futbollistë në grup që kanë 5-6 muaj pa u paguar.
Mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrin sot lojtarët, pra nëse do të zbresin apo jo në stërvitje dhe a do të pranojë presidenti Ardian Takaj të bisedojë me ta. Ndërkohë, një tjetër klub në krizë parash është Kamza. Ky informacion qarkullonte prej ditësh, por dje ka qenë presidenti i këtij ekipi, Naim Qarri, që ka bërë të ditur se Bashkia nuk po derdh më asnjë qindarkë për skuadrën.
Madje Qarri ka deklaruar se kreu i bashkisë Xhelal Mziu nuk ka dhënë paratë e dy muajve të fundit për klubin. Në këto kushte, tensioni te Kamza ka arritur kulmin dhe një krizë e fortë financiare shihet në horizont. Por klubi është kryeneç, pasi u ka vënë lojtarëve kusht fitoren në ndeshjen kundër Skënderbeut në Korçë, një sfidë ku rezultati pozitiv është shumë i vështirë.