AlbanianSport.com 24/02/2022 15:40
ASNN – Organizmi që qeveris futbollin evropian i beson organizmin e një tjetër turneu të rëndësishëm Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Turneu “UEFA Development” për Nën-16-vjeçarët do të zhvillohet në Shqipëri, nga data 9 prill deri më 14 prill 2022, nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e FSHF-së. Përveç Shqipërisë së Nën-16-vjeçarëve, në këtë turne do të marrin pjesë edhe përfaqësueset e Irlandës së Veriut, Perusë dhe Luksemburgut dhe të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz.
Kombëtarja shqiptare do të qëndrojë e grumbulluar në Kompleksin “Tropikal” në Durrës, ku do të zhvillojë edhe seancat stërvitore, në prag të këtij turneu zhvillimor për këtë grupmoshë. Turneu do të fillojë më 9 prill 2022, ku ndeshja e parë do të jetë Shqipëri-Irlandë e Veriut, me sfidën që nis nga ora 11:00, ndërsa në po të njëjtën ditë do të luajë edhe Luksemburgu kundër Perusë, në takimin që nis në orën 14:00. Ndeshjet e dyta të turneut zhvillohet më datë 11 prill 2022, me Shqipëri-Peru që zhvillohet në orën 11:00 dhe Irlandë e Veriut-Luksemburg, në orën 14:00.
Ndeshjet e fundit në grup luhen në datë 14 prill 2022, me Shqipëri-Luksemburg në orën 11:00 dhe Peru-Irlandë e Veriut në orën 13:00. Në ditët në vijim do të bëhet e ditur edhe lista e lojtarëve të grumbulluar për këtë turne, teksa në muajin mars, Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë ndeshjet e fazës së dytë të Kampionatit Evropian të Futbollit të Femrave për ekipin kombëtar të Nën-17-vjeçareve.