AlbanianSport.com 11.10.2015 15:25
ASNN – Ndeshja Armeni-Shqipëri vendos shumë për Grupin I. Danimarka nuk ka më ndeshje dhe të dielën do të zhvillojë miqësoren me Francën, në 20:45, thuaje 1 orë pasi të ketë përfunduar takimi që do të luhet në Jerevan.
Trajneri Morten Olsen, edhe pse e ka mundësinë të shikojë sfidën mes Armenisë dhe Shqipërisë, nuk do ta bëjë. “Unë nuk do ta ndjek këtë përballje, – ka thënë trajneri i danezëve për mediat vendase. – Do të ishte diçka e tmerrshme për mua.”
“Dua vetëm të dëgjoj rezultatin dhe më pas të luajmë ndaj Francës”, – ka shtuar ai. Shpresa e vetme e danezëve është që Armenia të zhvillojë një lojë të fortë edhe pse nuk ka asnjë objektiv, pasi ndodhet e fundit, me vetëm 2 pikë.
Por sipas Morten Olsenit, ndihma e vetme mund të vijë nga armenët, pasi disa nga lojtarët e këtij ekipi luajtën më pak në sfidën me Francën. Danezët janë në pritje, pasi nuk e kanë më fatin e tyre në dorë.