Nga Ismet Bellova* 30.09.2014 13:25
Shqipëria sjell shtatë medalje nga Antverpi, 2 ari, 3 argjendi dhe 2 bronzi. Olimpistët tanë në Lojërat Evropiane dhe Euroaziatike paraqiten denjësisht.Është ë kuptueshme se garat dhe ndeshjet sportive kanë përbërë kapitullin kryesor të Lojërave, ku kanë spikatur përpjekjet dhe vendosmëria e atletëvë për një rezultat sa më të mirë dhe, pse jo, edhe për një medalje e vend nderi në podiumin e fitores. E, në këtë kuadër, nuk kanë bërë përjashtim edhe vajzat e djemtë e ekipit tonë. Gëzimi i tyre, dhe i yni, ka arritur kulmin, kur olimpistët tanë kanë arritur të ngjiten në podiumin e nderit e të nderohen edhe me medalje.
Krenaria kombëtare është ndjerë jo pak, por plot 7 herë, sepse edhe numri i medaljeve të fituara është i tillë. Pra 7 medalje kanë fituar olimpistët tanë në veprimtarinë e tyrë të madhe evropiane dhe euroaziatike, duke e kurorëzuar kështu me sukses të plotë pjesëmarrjen në këto Lojëra. Sigurisht figurën më të mirë e ka bërë vajza lezhjane Mimoza Kola me dy medaljet e fituara në vrapimet 100 e 200 metra. Në garën e vrapimit të 200-metrave, Moza është treguar më e forta se të gjitha rivalet e saj, i ka mundur ato dhe është klasifikuar në vendin e nderit, duke fituar medaljen e arit.
Kurse në vrapimin e 100-metrave ka zënë vendin e dytë, shoqëruar me fitimin e medaljes së argjendit. Në këtë mënyrë ajo ka nderuar vendin, Lezhën, Qendrën e Zhvillimit e të Riaftësimit të qytetit, si dhe familjen e prindërit e saj. Një medalje tjetër të artë ka fituar nxënësi i Shkollës Speciale ”Luigj Gurakuqi”, në Tiranë, 21-vjeçari Lulëzim Koçi në vrapimin e 100-metrave. Ai është treguar më i shpejtë se të gjithë rivalët e vet, duke e kaluar i pari vijën e mbërritjes në përfundim të garës dhe duke zbukuruar gjoksin e tij me të artën. Ashtu si dhe në mjaft veprimtari të tjera botërore e evropiane, veterani i Olimpikut tonë Special, Artan Kodheli, edhe kësaj here nuk ka mbetur pa medalje.
Duke u klasifikuar në vendin e dytë në vrapimin e 200-metrave, Tani është nderuar me medaljen e argjendit. Medalja e pestë është fituar nga një vajzë e urtë e shembullore, pogradecarja Klejda Fejzollari, e Qendrës së Zhvillimit e Riaftësimit në qytetin piktoresk, e cila ka zënë vendin e tretë dhe ka fituar medaljen e bronzit në ecjen sportive 50 metra, duke e kaluar vijen e mbërritjes fill pas dy atletevë ruse. Dy medaljet e tjera janë fituar në pingpong. Shoqja e Klejdës, pogradecarja Marsela Kaçorri është nderuar me medalje të argjendtë, kurse “vogëlushi” elbasanas Fatjon Dika, nxënës në Shkollën Speciale “Zëra Jetë”, ka demonstruar nivel e paraqitje të mirë, duke zhvilluar disa ndeshje të bukura dhe duke merituar në fund të turneut medaljen e bronzit.
*Presidenti i Komitetit Olimpik Special Shqiptar