AlbanianSport.com 26/02/2018 13:25
ASNN – Koreja e Veriut mund ta mirëpresë Lojërat Aziatike Dimërore të vitit 2021 së bashku me atë të Jugut, deklaroi të martën një zyrtar i lartë sportiv i Pjong-Jangut, teksa skuadra e bashkuar e të dy vendeve në hokejin në akull luajti ndeshjen e fundit në këtë Olimpiadë. Lojërat Olimpike të Pjongçengut në Jug kanë parë një Kore Veriore të shpalosë një frymë pozitive, duke dërguar sportistë, tifozë, por edhe motrën e liderit Kim Jong Un për ta ndjekur këtë Olimpiadë dhe për t’u takuar madje me Presidentin e koreano-jugor Mun Xhae-in.
Ky është një ndryshim rrënjësor krahasuar me tensionet e vitit të shkuar, kur Veriu bërtharomor kreu një sërë provash raketore dhe shpërthimin më të madh atomik deri më tani. Guvernatori i provincës së Geng-uonit, që përfshin edhe Pjongçengun, deklaroi në fundjavë se por shqyrtonte mundësinë e një kandidature të përbashkët të dy Koreve për të organizuar Lojërat Aziatike Dimërore të vitit 2021, duke shtuar se qendra e skive të Masikrjongut në Veri mund të përdorej për këtë qëllim.
Në anën tjetër, Çeng Ungu, anëtari koreanoverior i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), shtoi se kjo ide ishte “mjaftueshëm e mundshme”. “Përderisa një numër më i vogël vendesh merr pjesë në Lojërat Aziatike, do të ishte më e lehtë të organizohej sesa Olimpiada”, – u citua zyrtari koreanoverior nga agjencia e lajmeve “Jonhap”, teksa kthehej nga Pekini drejt Pjong-Jangut.
Por, edhe zërat e mëparshëm për bashkë-organizimin e veprimtarive sportive nga ana e dy vendeve, nuk kanë çuar në rezultate konkrete. Koreanoveriori Çengu i vlerësoi Lojërat e Pjongçengut si “të përsosura”, duke shtuar: “Olimpiada ishte një sukses i madh, falë unitetit të arritur nga populli korean.” Lojërat Aziatike Dimërore zhvillohen çdo 4 vjet dhe mikpritësit e 2021-shit mund të caktohen në Lojërat Aziatike Verore të këtij viti në Indonezi në gusht.