Gjergj Vyshka 22.09.2016 10:40
Dita për presidentin e Komitetit Olimpik të Italisë (CONI), Malago, ka nisur me një kthesë të paparashikuar. Delegacioni olimpik kishte lënë Kampidoljon pas një takimi që nuk ka zgjatur më shumë se 37 minuta, që është shoqëruar dhe me një dalje të Malagos. “Ne nuk i përkasim asnjë partie, kemi pasur një mandat nga bota e sportit, – ka thënë ai. -“Jo”-ja i bën keq sportit, sepse kanë ndërruar rregullat e lojës.”
“I sugjeroj kryebashkiakes që të mos e prezantojë mocionin në Kampidoljo, – ka vijuar kreu i lëvizjes olimpike të Apenineve. – Hamburgu dhe Bostoni nuk kanë qenë asnjëherë zyrtarisht kandidatura. Është e papranueshme. Ishte e mundur për të bërë diçka të mirë. E gabuar t’i përziesh lekët e Lojërave me shpenzime të tjera. Preventivi i shpenzimeve ishte sa 1/10-ta, krahasuar me “Soçi 2014”.”
Dhe menjëherë presidenti i Komitetit Olimpik të Italisë, Malago, ka kaluar në sulm për çështje teknike-proceduriale. “Lojërat nuk duhet të bëhen, pse? Nuk ka një motiv të vërtetë, – ka thënë ai. – Është vetëm një diskutim sipërfaqësor. Nëse do të ishte frika e plaçkitjes ne mund të themi: bëjeni ju Olimpiadat, organizojeni ju.”
“Ka garanci më të mirë? Doni të modifikoni dosjen? Mund ta bëni atë brenda shkurtit. Pse administrata e Komunës apo Bashkisë nuk pranon referendum për kandidaturën? Pse i kanë sondazhet njësoi si ne? Çdo ditë që kalon aq më tepër shtohen personat që e duan “Roma 2024”, – ka përfunduar Presidenti i Komitetit Olimpik të Italisë (CONI), Malago.