Gjergj Vyshka 13.04.2015 08:10
Më 6 qershor, në Sardenja ndeshje veteranësh mes Italisë dhe Afrikës së Jugut. 36-vjeçari, i cili luan në Serinë B me Algeron, ka marrë ftesë nga italianët. Ogert Pako, shqiptari 36-vjeçar, që luan regbi në Itali me Algeron, tashmë ka marrë ftesë nga kombëtarja “axurre” e veteranëve për të qenë pjesë e saj në një miqësore me Afrikën e Jugut.
Bëhet fjalë për një ndeshje, e cila do të zhvillohet më 6 qershor në Sardenja, në Kapo Terra, ndërsa Pako e ka pasur këtë privilegj edhe sepse ka arritur të jetë pjesë e zombëtareve italiane deri tek të rinjtë. E megjithatë ëndrra e tij, por dhe e shumë shqiptarëve është krijimi i kombëtares shqiptare dhe i Federatës Shqiptare të Regbisë, e cila tashmë ka mbetur i procedurave burokratike në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
Pa thënë që ka dhe mungesë dëshirë nga ky dikaster për ta rikrijuar këtë Federatë, ndërsa edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar nuk është se ka lëvizur më shumë se sa ajo miqësore promovuese e 3 gushtit 2013 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Dhe Pako, edhe pse është i ftuar nga kombëtarja e veteranëve të Italisë për të luajtur përballë Afrikës së Jugut, shpreson që kjo ftesë ndaj tij të jetë dhe një shkundje për të gjithë drejtuesit e sportit në vend.
Sepse dhe regbija duhet të ekzistojë, aq më shumë që ka vullnet nga një grup shqiptarësh në Itali me në krye Gaspër Daupin.