AlbanianSport.com 23/10/2018 15:25
ASNN – Mëriners mbajnë pezull Boltin, rekordmeni i atletikës dhe klubi australian nuk arrijnë marrëveshje për pagesën. Kushdo që bën plane të ketë në ekip Jusein Bolti duhet të marrë parasysh pagesën faraonike që kërkon rekordmeni botëror i 100 dhe 200 metrave. Kështu, atleti xhamajkan i ka kërkuar klubit australian, Sentrëll Kost Merinërs, një pagesë të pranueshme për kushtet e tij, por duket se vlera e ofruar nga klubi australian dhe asaj që kërkon lojtari janë të papajtueshme dhe shumë larg njëra-tjetrës.
Për këtë arsye, klubi në fjalë mori vendimin për të pezulluar përkohësisht Jusein Boltin, në mënyrë që skuadra të mos humbasë përqendrimin në prag të ndeshjes së javës së dytë të kampionatit të futbollit të Australisë, të njohur si “Liga A”. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, klubi i Sentrëll Kost Merinërs i ka vënë kushte të forta Boltit, kushte që ngjajnë më shumë me një ultimatum. “Për të evituar çdo shpërqendrim të skuadrës për ndeshjen ndaj Mellbërn Sitit, Jusein Bolt nuk do të marrë pjesë në stërvitje gjatë kësaj jave”, – theksohet në komunikatën e Merinërsave.
“Ai do të ribashkohet me grupin vetëm pasi të ketë nënshkruar një kontratë me klubin”, – shton ajo. Nëse Bolti nuk arrin të nënshkruajë një kontratë me klubin në fjalë, ai mund të kthehet në Evropë për të gjetur një skuadër të re, e cila mund të jetë e aftë t’i sigurojë atij një kontratë fitimprurëse si futbollist profesionist, por të kesh qenë atlet i madh nuk është e thënë të jesh futbollist i madh dhe duket se këtë po e kupton edhe vetë rekordmen i i papërsëritshëm i atletikës dhe i sprintit, Jusein Boltit.