AlbanianSport.com 05.10.2014 19:50
ASNN – Matjanët në mungesë të forcave të rendit nuk kanë pranuar të luajnë ndeshjen, kurse gjyqtari Dyrmishi dhe skuadra vendëse ka zbritur në fushë. Tashmë skuadra e Zanit kërkon tri pikët në “tavolinë”. Mamurrasi-Burreli është ndeshja e radhës, e cila nuk është zhvilluar për mungesë të forcave të rendit, ndërsa policët e qytetit të vogël futbolldashës vazhdojnë të mos marrin përsipër zhvillimin dhe sigurinë e ndeshjes.
Një nga pikat që i është kërkuar të gjitha skuadrave të futbollit shqiptar, të cilat janë munduar ta zgjidhin me policinë bashkiake, apo dhe me polici private. Siç dhe ka ndodhur dje në Mamurras, pavarësisht se Burreli ka kërkuar forcat e rendit, siç e ka rregullorja, ndaj dhe nuk ka zbritur në fushën e lojës. Delegati i ndeshjes Elton Lita, vëzhguesi i ndeshjes elbasanasi Sopot Resmeliu, si dhe gjyqtarët e takimit, së bashku me kryesorin Edvaldo Dyrmishi, disa herë i kanë bërë thirrje Burrelit për të dalë në fushën e lojës.
Por kërkesave të zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit, Burreli i është përgjigjur me mbyllje në dhomën e zhveshjes. Dhe pasi kanë pritur 45 minuta, gjithnjë sipas rregullores, Mamurrasi së bashku me gjyqtarët e ndeshjes kanë zbritur në fushën e ndeshje. Është gjuajtur topi nga qendra dhe Dyrmishi i ka rënë tri herë bilbilit për mbylljen e ndeshjes. Tashmë Mamurrasi pret tre pikët në “tavolinë” për mos paraqitje të Burrelit.